Riciklimi, ambientalistët akuzojnë

25/10/2010 19:40

Debati për importin e plehrave duket se do të marrë të tjera përmasa, duke dalë jashtë kornizave të polemikave, në protesta në rrugë.

Ambjentalistët kanë kërkuar sërish me forcë që të ndalet importi i mbetjeve nga jashtë, duke paralajmëruar fillimin e një fushate protestash nëse ky vendim nuk ngrin për një periudhe të pacaktuar kohe.

“Kërkojmë nga qeveria që të anulojë këtë vendim, të menaxhohen mbetjet vendase, ose vendimi të pezullohet deri në një kohë tjetër. Nëse kjo nuk do të realizohet e vetmja rrugë që na mbetet është të reagojmë nëpërmjet protestave”, ka deklaruar ambjentalisti Lavdosh Ferruni.

Ferruni ka sqaruar se sipas listës së gjelbërt dhe Konventës së Bazelit, në Shqipëri lejohet importi i metaleve me elemente zinku, si dhe i pjesëve të centraleve bërthamore.

“Lëndë të rrezikshme në Konventën e Bazelit janë mbetjet nga industria e energjisë bërthamore, sidomos kur është fjala për centrale që u ka kaluar koha, si dhe mbetjtet nga industria e naftës dhe industria e përpunimit të metaleve me ngjyra”, ka sqaruar Ferruni.

Pas kësaj deklarate Ministria e Mjedisit ka theksuar se Shqipëria nuk e ka miratuar të gjithë listën e Konventës së Bazelit, duke përjashtuar mundësinë e importit të pjesëve të centraleve bërthamore apo edhe më tej, të mbetjeve radioaktive.

“Lëndë të tilla janë të ndaluara me ligj, qoftë për qëllime depozitimi, qoftë për kalim tranzit. Lista e gjelbër përmban listën e lëndëve që mund të importohen dhe eksportohen”, ka deklaruar Pëllumb Abeshi, drejtor i politikave në Ministrinë e Mjedisit.

Në vend numërohen rrreth 60 shoqëri riciklimi, pjesa më e madhe e të cilave merret me metalet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA