Regjistrimi, opozita dyshuese për procesin

25/10/2010 08:10

Politika ka kundërshtuar mënyrën se si po zhvillohet procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave. Deputetët nga të gjitha kampet politike, por edhe politikanë të vjetër, aktualisht edhe eksponentë të partive politike, nuk kanë qenë në të njëjtën ide me qeverinë shqiptare për mënyrën se si po zhvillohet ky proces.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Gjoni, pritet të zhvillojë një interpelancë me Kryeministrin Sali Berisha në Parlament për çështjen e regjistrimit të popullsisë. Detajet për zhvillimin e kësaj interpelance, selia rozë pritet t’i bëjë të ditura në ditët në vazhdim.

Nga ana tjetër, deputetët demokratë nuk kanë një sqarim apo një argument në lidhje me çështjen e regjistrimit të popullsisë, pasi janë të painformuar qartësisht lidhur me këtë proces. Ekskluzivitetin e këtij procesi e ka në dorë ministri i Inovacionit, Genc Pollo.

Ndërkaq, ish-kreu republikan, Sabri Godo, e cilëson regjistrimin një çështje delikate, duke theksuar se ai duhet të bëhet, pasi shqiptarët të kenë përfituar nga liberalizimi i vizave. “Regjistrimi i popullsisë duhet të bëhet kur të përjashtohen dy elemente, besimi fetar dhe përkatësia etnike. Regjistri do të bëhet i lirë vetëm pasi shqiptarët do të mund të lëvizin lirshëm në Europë dhe nuk do të jenë të detyruar që për shkak të një pune, apo çështjeve të tjera, të deformojnë besimin fetar apo përkatësinë etnike”, tha politikani veteran, Sabri Godo.

Regjistrimi i popullsisë mbi baza gjuhësore, përkatësisë fetare dhe etnike, përbën një rrezik serioz dhe kërcënim për territorin e vendit. Reagimi i fortë vjen nga një prej hartuesve të Kushtetutës, politikanit Sabri Godo, i cili në këtë mënyrë i përgjigjet mënyrës se si po kryhet ky regjistrim. Politikani Sabri Godo e sheh këtë projekt si shumë të rrezikshëm, që do të çonte në rritje artificiale të shtetasve me kombësi greke në vendin tonë. Sipas Godos, pas kësaj Greqia do të kishte edhe pretendimin për kërkesa të tjera. Politikanët shqiptarë e shikojnë rrezikun te regjistrimi i popullsisë me bazë etnike dhe fetare si një çështje që ka të bëjë me të drejtat universale të njeriut. Shumë njerëz kanë ndryshuar kombësinë në këmbim të pensioneve nga shtete që pretendojnë se kanë minoritetet e tyre në Shqipëri. Në rast se regjistrimi do të bëhej në një formë të tillë, atëherë në Shqipëri do të kishim më tepër njerëz me kombësi greke, nga ç’kemi realisht. Edhe kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi, ka bërë me dije kohët e fundit se do të kërkojë një interpelancë me ministrin Genc Pollo për regjistrimin e popullsisë. Partia për Drejtësi dhe Unitet nuk është kundër regjistrimit, por kundër mënyrës se si po kryhet ai. Më datën 15 nëntor 2009, Kryeministri Sali Berisha, nëpërmjet një deklarate, ka bërë me dije se “me gjithë ekzistencën e disa rekomandimeve nga ndërkombëtarët që të mos bëhet, unë jam në regjistrimin e këtij vendi, që do të bëhet nga kjo qeveri. Çdo qytetar do ketë të drejtë të shënojë gjuhën, përkatësinë etnike, besimin fetar”.

Nuk është hera e parë që kjo çështje bëhet objekt diskutimi, por edhe sepse në Shqipëri, ashtu si në mbarë Ballkanin, etnia dhe feja janë parë gjithnjë si çështje delikate, që bartin në vetvete rrezikun e hapjes së një kutie të Pandorës, nga ku mund të dalin soj-soj pretendimesh, duke filluar që nga pretendimet territoriale e deri te prishja e ekuilibrave shpesh të brishtë të bashkëjetesës fetare dhe etnike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA