Mësueja e shkarkuar: Si më pushuan nga puna

25/10/2010 19:10

Mësuesja e shkarkuar nga detyra pas denoncimit të bërë në një shkollë në Poliçan në lidhje me emërimin në këtë shkollë të një personi me precedent penal, ka folur në Top Channel në lidhje me ngjarjen që u kthye para disa ditësh në debat në parlament.

Erisa Ismaili thekson se pas daljes së saj në media, ka humbur vendin e punës.

“Gjithçka filloi në 6 shtator kur në stafin tonë u emërua një mësues i ri i fiskuturës. Pas këtij emërimi pati pakënaqësi për faktin se personi në fjalë kishte precedent penal për ngacmim seksual dhe kishte arsim të mesëm”, thotë Ismaili për “Pasdite në Top Channel”.

“Ne mësuesit së bashku me prindërit vendosëm të ankoheshim në bashkinë e Poliçanit ku patëm përpkrahjen e kryetarit. Më 5 tetor kam dhënë një intervistë dhe jam prononcuar kundër këtij mësuesi. Pas kësaj, 6 ditë më vonë, është marrë vendimi që unë të kaloj mësuese definitive me kontratë”, tha Ismaili.

“Kam patur edhe kërcënime, ndoshta jo shumë të drejtpërdrejta. Ndërkohë që me personin në fjalë nuk kam pasur asnjë konfrontim”, shprehet mësuesja.

Ndërkohë në “Pasdite në Top Channel” ka reaguar edhe drejtori i Drejtorisë Arsimore të Skraparit, Avdyl Braho që ka dhënë versionin e tij të ngjarjes.

“Mësuesja është kaluar me kontratë dhe jo larguar nga puna, pasi i është thënë që do rishikohet qëndrimi i saj. Në këtë shkollë në Poliçan dilte tepër një mësues e gjysmë. Udhëzimet e fundit të Ministrisë së Arsimit parashikojnë rritjen e numrit të nxënësve në klasa që shoqërohet edhe me uljen e numrit të mësuesve”, tha Braho.

Erisa Ismaili ishte e vetmja në stafin pedagogjik të shkollës e pajisur me master, ndërkohë që kolegët e saj janë vetëm me shkollë të lartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA