Kosovë, TCH fiton “Reportazhi më i mirë”

25/10/2010 22:55

Top Media fiton çmimin vjetor për mbulimin mediatik të varfërisë në Kosovë. Ky çmim është ndër disa mirënjohje që agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Prishtinë ndajnë çdo vit në katër kategori, televizion, radio, media të shkruara dhe fotografi, për gazetarët të cilët kanë mbuluar temën e varfërisë në Kosovë dhe ndikimin e saj te të rinjtë, të zhvendosurit dhe shëndetin e grave.

Në këtë ceremoni UNICEF dha çmim për reportazhin më të mirë mbi të rinjtë e varfër të realizuar nga gazetarja Valdete Osmani dhe kameramani Bujar Sylejmani. Kronika tregonte historinë e një familjeje të varfër nga fshati Cecelinë i Komunës së Vushtrrisë, dhe sakrificën e saj për të shkolluar njërin nga djemtë.

“Falenderoj posaçërisht kameramanin e Top Channel, Bujar Sylejmani i cili me anë të xhirimit ka shpjeguar mjaft mirë atë çka unë kam dashur të shpreh në lajm”, deklaroi gazetarja e Top Channel dhe fituese e “Reportazhit më të mirë”, Valdete Osmani.
 
Agjencitë e  Kombeve të Bashkuara shpërndanë të hënën edhe çmime të tjera në kategori të ndryshme të mbulimit mediatik të varfërisë në Kosovë.
 
Për kronikën më të mirë televizive që portretizon të zhvendosurit, të kthyerit apo shëndetësinë u shpërblyen edhe gazetarët Ramadan Muqolli dhe Njomza Berisha.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara ndau edhe çmimin për radio. Këtë çmim e fitoi gazetarja e Radio Kosovës, Serbeze Haxhiaj. Ndërkaq gazetari Besnik Boletini mori çmimin për historinë më të mirë në median e shkruar.
 
Ndarja e çmimeve bëhet çdo vit nga ekipi i agjencive të Kombeve të Bashkuara në Prishtinë, me qëllim inkurajimin për ndërgjegjësimin mbi  aspektet negative sociale të jetës në Kosovë dhe sfidat që ato paraqesin.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA