Pasaportat e vjetra, të vlefshme edhe pas 1 janarit?

24/10/2010 19:40

Numri i pasaportave biometrike ka kaluar pragun psikologjik të 1 milion pasaportave. Të njëmiliontën e dorëzoi vetë kryeministri Berisha. Pyetja që shtrojnë disa dhjetra mijëra qytetarë të tjerë, që ende nuk kanë aplikuar për pasaporta biometrike, ka të bëjë me kohëzgjatjen e pasaportave të vjetra.

Sipas kontratës koncesionare me firmën që prodhon dokumentat e identitetit, pasaportat e vjetra duhet të dalin jashtë përdorimi më 1 janar 2011. Por burime nga Ministria e Brendshme pohojnë se qeveria ka ndërmend ta shtyjë këtë datë. Kjo do të bëhet nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave.

Cdo të bëhet me vizat ende të vlefshme në pasaportat e vjetra ? Këtu ka disa raste : Në rast se dikush disponon një pasaportë të vjetër me një vizë Schengen, që të dyja të vlefshme edhe gjatë 2011-ës, ai nuk do të ketë nevojë për pasaportë biometrike për të udhëtuar drejt hapësirës Shengen. Sepse, pra, si pasaporta e vjetër edhe viza do të jenë ende të vlefshme. Në rastet kur viza Schengen do të jetë e vlefshme por pasaporta e vjetër do të dalë jashtë përdorimi, për të udhëtuar në hapësirën Shengen do të nevojitet pasaporta biometrike.

Cdo të bëhet në rastet e vizave jo Schengen, për shembull amerikane apo britanike? Në rast se pasaporta e vjetër ka dalë jashtë përdorimi sepse i ka mbaruar afati, por viza vazhdon të jetë ende e vlefshme, për të udhëtuar do të përdoren të dy pasaportat. Pasaporta biometrike si dokument udhëtimi zyrtar dhe pasaporta e vjetër që mban vizën, vizë që mbetet e vlefshme deri në fund të afatit kur është lëshuar.

Cështja tani është se deri kur do ta shtyjë qeveria afatin e pasaportave të vjetra? Gjithmonë sipas burimeve nga Ministria e Punëve të Brendshme, qeveria po pret vendimin përfundimtar për liberalizmin e vizave nga Ministrat e Punëve të Brendshme të Bashkimit Europian, për të nxjerrë VKM-n për afatin e pasaportave të vjetra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA