Topi dekreton ligjin e eurobondit

23/10/2010 09:05

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje ligjin për emetimin e eurobondit.

Qeverisë i hapet kështu rruga të dalë në tregun ndërkombëtar për të marrë borxh në vlerë 400 milionë euro me normë interesi, maksimumi deri në 8.5%.

Faqja zyrtare e Presidencës bën të ditur se Presidenti Topi dekretoi dje shpalljen dhe dhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi menjëherë të ligjit nr. 10 336, datë 21.10.2010:

“Për një ndryshim në ligjin nr. 10 267, datë 15.04.2010, për ratifikimin e marrëveshjes së mandatimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe ‘Deutsche Bank’, ‘AG’, ‘London’ e ‘J.P. Morgan Securities’, si menaxherë bashkëdrejtues, për transaksionin e emetimit të eurobondit deri në 400 milionë euro dhe miratimin e dokumenteve të tjera të transaksionit”.

Shqipëria do të hyjë kështu për herë të parë në tregun ndërkombëtar të parasë, duke emetuar eurobondin e parë në historinë e saj.

Ministria e Financave ka mandatuar dy bankat që të udhëheqin eurobondin e parë shqiptar. Bankat “JP Morgan” dhe “Deutsche Bank” do të jenë dy institucionet financiare që do të mundësojnë transaksionet e eurobondeve shqiptare në tregjet e kapitalit ndërkombëtar.

Eurobondi me vlerë 400 milionë euro që do të emetohet në tregun ndërkombëtar, do të merret për një afat 5-vjeçar.

Borxhi do të përdoret për shlyerjen e borxhit të marrë një vit më parë për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, e cila ka një interes prej 13,5%.

Në këtë mënyrë qeveria do të dalë në tregun ndërkombëtar për të emetuar eurobondin dhe për të shlyer kështu në kredi më të lirë borxhin e shtrenjtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA