Toçi: U manipulua vota ime në Kuvend

23/10/2010 08:15

Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Toçi, nëpërmjet një deklarate për shtyp ka denoncuar mospasqyrimin e votës së tij në panelin elektronik dhe rezultatin përfundimtar në Kuvend.

“Bashkë me votën time, opozita ka 68 vota”, tha deputeti Toçi. Përpos komenteve të ndryshme dhe mjegullnajës së krijuar nga votimi i ditës së enjte në Parlament, deputeti socialist ka theksuar se:

“Kam votuar kundër heqjes së mandatit të deputetit Ilir Beqja, me bindjen se kërkesa e paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë ishte e paargumentuar, politike dhe keqdashëse ndaj njërit prej deputetëve më aktivë, më të përkushtuar dhe më të aftë për problemet ekonomike”.

Në rastin më të mirë, deputeti Toçi e shikon mosshpalljen e votës së tij në tabelën elektronike si problem të sistemit elektronik të instaluar në Kuvend, për të cilin kërkon verifikime teknike.

“Nga ana tjetër, nuk do të uroja që problemi i mosvotimit të djeshëm, edhe pse unë e kam shtypur butonin e kuq disa herë radhazi, të mos jetë manipuluar nga dora e dikujt që komandon edhe amplifikimin e zërit të deputetëve socialistë, kur ata marrin fjalën dhe për të cilën është protestuar shpesh në Kuvend”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA