
Partia Socialiste, përmes sekretarit për Koordinimin dhe Çështjet Ligjore Fatmir Xhafaj, shprehu qëndrimin se vendimi i marrë në kuvend për cështjen e mandatit të deputetit Ilir Beqja është në kundërshtim me rregulloren e kuvendit.
Sipas Xhafajt, votimi dëshmoi paaftësi dhe papërgjegjshmëri para ligjit dhe se moskryesja e procedures se fshehte tregoi frikën e Berishës se nuk mund të kontrollojë më as deputetët e tij.
Xhafaj e konsideroi si vendim antikushtetues dhe abuziv miratimin e ligjit për kompleksin e ri parlamentar.
“Vendimi abuzon me paratë e qytetarëve. Më parë u shpenzuan 8 milionë euro për rikonstruksionin e Piramidës për teatër, ndërsa tani do të paguhen qindra mijëra euro vetëm për projektin, duke vjelur taksat e qytetarëve të varfër”, tha Xhafaj.
Zyrtari socialist propozon anulimin e vendimit dhe përdorimin e fondeve për rikonstruksionin e universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë.
Xhafaj preku në konferencën e sotme për media edhe tryezën e reformës zgjedhore, të cilën ai e quajti formale duke theksuar se PS nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj për transparencë në përputhje me rezulutën e Parlamentit Evropian.
“Zgjedhjet e 28 qershorit nuk i deformoi kodi, por shkelja e tij. Nuk ka reformë pa bërë më parë transparencën e zgjedhjeve”, tha Xhafaj.
Top Channel