Vllaznia: Dënoni ata që na masakruan

22/10/2010 12:35

Vllaznia kërkon të hakmerret. Pas ndeshjes në turin e parë të Kupës së Shqipërisë me Tërbunin, klubi shkodran ka nisur fushatën kundër futbollistëve të ekipit të Pukës.

Në sfidën që përfundoi në barazim 1-1, rezultati ka kaluar në plan të dytë, pasi e gjithë vëmendja e kuqebluve është përqendruar në masakrimin e futbollistëve në fushën e lojës. Katër lojtarë janë dëmtuar, ndërsa më keq e pësoi mbrojtësi Klodian Seminia, i cili përfundoi në spital me një dëmtim mjaft serioz në gju.

Probleme për shkak të ndërhyrjeve të rënda kanë pasur edhe disa lojtarë të tjerë, që më tepër sesa të përqendrohen te loja, janë detyruar të përballeshin me ndërhyrjet brutale. Kjo ka bërë që Vllaznia të paraqitet në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku ka dorëzuar kasetën e ndeshjes së zhvilluar të mërkurën.

Klubi i kryeqendrës së veriut ka dorëzuar edhe një kërkesë të posaçme, ku pretendohet dënimi i lojtarëve që shkaktuan katër dëmtime në radhët e kuqebluve. Menjëherë pas ndeshjes, presidenti Valter Fushaj deklaroi se shkaktarët e këtyre ndërhyrjeve ishin të gjithë futbollistë me origjinë shkodrane, ndërsa e ka vënë theksin te fakti se kundërshtarët që kanë dëmtuar lojtarët e skuadrës së tij, kanë vepruar me paramendim, pasi më parë klubi i kishte larguar si të panevojshëm.

Fakti që shkodranët kanë nisur një “luftë” të drejtpërdrejtë, duke kërkuar drejtësi nga Disiplina në FSHF, ka sjellë edhe reagimin e skuadrës nga Puka. Ata kanë hedhur poshtë akuzat për “dhunën” e ushtruar në fushë, duke i cilësuar ato si të pavërteta, përkundrazi ata pretendojnë se “lufta sportive” ka qenë brenda kufijve të lejuara nga rregullorja e lojës. Drejtuesit e Tërbunit dhe stafi teknik kanë pranuar se në disa raste janë regjistruar ndërhyrje të rënda, por theksonin se ato ishin të paqëllimshme dhe mbi të gjitha të ndikuara nga terreni shumë i rrëshqitshëm. Por, i këtij mendimi nuk është trajneri Mojash Radonjiç, që pas presidentit Fushaj është shfaqur përpara mediave duke dënuar atë që ndodhi në ndeshjen e 1/16-ave të Kupës. Tekniku malazez theksoi: “Ajo që ndodhi në Pukë nuk kishte asnjë lidhje me futbollin. Kundërshtarët tanë ndoshta duhet të merren me një sport tjetër, sepse çdo ndërhyrje e tyre ishte jo vetëm e ndëshkueshme me faull, por duhej të shoqërohej edhe me kartonë. Kurrë në karrierën time nuk kisha parë një skuadër që të luante ashtu si Tërbuni, ndërsa për ata që e drejtojnë këtë ekip mund të them se nuk e kuptojnë thelbin e këtij sporti kaq të bukur. Natyrisht që zemërimi ynë lidhet edhe me gjykimin, pasi vetëm në pjesën e dytë, arbitri duhet të kishte nxjerrë të paktën katër herë kartonin e kuq. Këtë e tregojnë dëmtimet e kaq shumë lojtarëve dhe në grada mjaft të rënda, sa të rrezikojnë sezonin”.

Ndeshja e Pukës ka bërë që Vllaznia të jetë e përgjysmuar për sfidën e nesërme në Kategorinë Superiore, ku në javën e tetë ata luajnë në fushën e Shkumbinit. Disa prej të dëmtuarve në mesjavë rrezikojnë të qëndrojnë jashtë fushave për disa ndeshje, ndërsa ka edhe nga ata që rrezikojnë sezonin. Duke përfshirë edhe pezullimin e Sykajt me kartonë, shkodranët do të kenë dhjetë mungesa të shtunën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA