Liga e Europës, Juve e Liverpul vetëm barazim

22/10/2010 00:20

Liverpuli mbetet në krye të grupit K edhe pas barazimit 0-0 me Napolin, takim i vlefshëm për ndeshjet e treta të fazës së grupeve të kupës Europa Ligë.

Skuadra e Roi Hodgsonit ka siguruar vetëm një fitore në këtë fazë, ku ka mundur Steauan e Bukureshtit në ndeshjen e parë, më pas ka regjistruar dy barazime dhe ndodhet në kuotën e 5 pikëve në grup dy më shumë se Napoli dhe Utrehti.

Edhe në këtë takim ishte skuadra e Maxarrit ajo që kontrollonte më shumë topin dhe kishte më shumë raste shënimi pavarësisht se rezultati përfundimtar mbeti 0-0.

Juventusi nga ana tjetër regjistron barazimin e tretë në tre ndeshje në këtë mbrëmje europiane pasi është ndaluar në 1-1 me Salsburgun në trasnfertë. Ishin austriakët ata që kaluan të parët në avantazh në minutën e 36-të me një gol të Zventos, por për bardhezinjtë, protagonist bëhet sërish serbi Krasic i cili edhe pse nuk i dha fitoren, arriti  të barazpeshojë rezultatin i cili mbeti i pandryshuar deri në fund.

Ky barazim çon në kuotën e 3pikëve Juventusin në vendin e tretë në grupin A.

Ukrainasit e Metalistit kanë fituar 2-1 në ndeshjen e tretë në grup me Sampdorian. Italianët kaluan të parët në avantazh duke shënuar me Vladimir Koman, por brenda pjesës së parë Taison barazon shifrat në 1-1.
Me fillimin e pjesës së dytë Metalist mbeti me 10 lojtarë pasi pikërishtë autori i golit të parë doli me kartonin e kuq, por edhe pse në inferioritet numerik vendasit shënuan golin e fitores në minutën e 73-të me Havier. 3 pikësh i ngjit ata në vendin e dytë në grup në kuotën e 6 pikëve, 1 më pak se PSV Einthoveni i cili fitoi 2-1 me Debrecenin.

Skuadra tjetër ukrainase, Karpati u mund në këtë ndeshje të mbrëmjes të së enjtes 0-1 nga Sevilja. Kanute shënon golin e vetëm të këtij takimi në minutën e 34-të pas asistit të Eskudesë duke i dhënë skuadrës së tij fitoren e dytë në këtë fazë ndërkohë që Karpati regjistron humbjen e tretë dhe eliminohet përfundimisht nga kupa Europa ligë.

Top Channel