Kievo-Çezena, Bogdani kundër së kaluarës

22/10/2010 12:45

Diell, rërë, det dhe Fikadenti. I është dashur pak për të gjetur rrugën e rrjetës. Erjon Bogdani ka rizbuluar në Çezena lidhjen me golat e humbur në 2 sezonet e fundit te Kievo: 42 ndeshje, 3 gola. Po aq sa ka shënuar në vetëm 7 ndeshje me bardhezinjtë.

Një, shumë të rëndë, ia ka shënuar edhe Milanit të kampionëve, skuadrës së Ibrës e Ronaldinjos. Diçka ka ndryshuar. “Princit të Epirit” i është dashur vërtet pak kohë për t’u bërë i pazëvendësueshëm në sulmin e ish-trajnerit të Veronës. Të dielën Erjoni do të sfidojë të kaluarën.

Asnjë zili, asnjë dëshirë për hakmarrje. Shqiptari nuk mund t’i injorojë sezonet e jetuara në Verona, mes Hellas e Kievos. “Bentegodi” është stadiumi që e ka bërë të përjetojë gëzim dhe dhimbje. “Shumë gëzime. Kujtimet pozitive zbehin gjithçka tjetër. Me Veronën e Kievon kam jetuar momente të lumtura. Shënoja, isha protagonist, mësova të dua një qytet, që me kalimin e kohës u bë pikë referimi për mua. Një shtëpi e dytë”. Të dielën do të luajë ndaj Kievos, ku dikur e mori Del Neri në një moment delikat të skuadrës. Impakti i parë ishte shumë pozitiv. “Shënova dhe gola të rëndë, dola në pah për asitet”, kujton Bogdani. Por në sezonin e parë ranë në Serinë B: “Një moment shumë i trishtueshëm”. Pas 3 vitesh e gjysmë kontratë rrugët e tyre u ndanë. “Doja të qëndroja në Serinë A dhe shkova te Livorno. Por edhe sot e konsideroj zgjedhjen më të gabuar që kam bërë si futbollist. Jetova një vit shumë negativ”. Më pas u kthye sërish, por nuk ishte si më parë. “Nuk ndihesha i mirëpritur si në fillim. Kishte ndryshuar trajneri.

Në fillim Iakini, pastaj Di Karlo. Ndihmova skuadrën të shpëtonte nga rënia”. “Klubi më ka trajtuar mirë, pohon Bogdani. Por kur kontrata ime po skadonte, për një sërë arsyesh, luaja më pak. Rrugët tona u ndanë, por me Kievon nuk kam asnjë problem. Mbetet një oaz i lumtur për mua”. Për sa i përket rikthimit te goli, ai shton: “Merita e Fikadentit. Ai më njeh kush jam. Di ku të më vërë të luaj. Te Kievo aktivizohesha si sulmues i dytë. Por unë jam sulmuesi i parë. Ndihem mirë në këtë rol dhe kam rigjetur kënaqësinë e golave”. Çezena i ka çuditur të gjithë në javët e fillimit të Serisë A dhe Bogdani u bë krenaria e një skuadre vërtet të paparashikueshme. “Unë nuk do të kisha firmosur për një fillim të tillë, tri gola në 7 ndeshje, dhe shumë kënaqësi. Por jemi vetëm në fillim. Ky është një kampionat shumë i vështirë, duhet të jemi vigjilentë. E patë çfarë ndodhi? E nisëm shumë mirë, por mjaftuan disa humbje për t’u kthyer drejt fundit të klasifikimit. U kthyem në sipërfaqe, duhet të vazhdojmë kështu”, përfundon Bogdani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA