Digjen 5 milionë euro për teatër

21/10/2010 20:45

Vendimi për ndërtimin e godinës së re të parlamentit të Shqipërisë tek ish piramida në Tiranë, është i papritur, me shumë nxitim dhe financiarisht një paradoks që i shkakton buxhetit dëm financiar.

Ideja për herë të parë u bë publike vetëm pak javë më parë nga kryearja e Kuvendit, zonja Topalli.

Ky vendim nga ana financiare duket paradoks pasi deklarata e zonjës Topalli u bë fare pak ditë pasi ajo vetë kishte promovuar sallën e re të rikonstruktuar të Kuvendit për të cilën nga buxheti i shtetit u harxhuan 79 milionë lekë.

Ndërtimi i një godine të re të Kuvendit praktikisht i kthen të pavlefshme paratë e shpenzuara për sallën e re aktuale.

Ndërtimi i parlamentit të ri, zhvlerëson edhe investimin e nisur nga Ministria e Kulturës që tek ish piramida të ndërtohet teatri kombëtar. Për këtë investim janë lëvruar 5 milionë euro me gati dy vjet më parë.

Puna për rikonstruksionin ka kohë që ka nisur dhe ish piramida është zhveshur tërësisht nga fasada, ndërkohë që në ambjentet e brendshme janë bërë investime të rëndësishme që kapin deri tani 30 përqind të vlerës.

Ndërprerja e investimit se aty mund të ndërtohet parlamenti i ri, djeg jo vetëm paratë e përdorura, por edhe pjesën e papërdorur të këtij fondi. Vetëm për këto dy arsye dëmi që i shkatohet buxheti të shtetit nga keqadministrimi i qeverisë për investimet që ajo kryen pa koherencë dhe pa asnjë parashikim arrijnë mbi 5.5 milionë euro.

Ndërkohë nëse ish piramida shëmbet për të ndërtuar godinën e re të kuvendit, sipas arkitekteve të njohur duhen të pakten një fond prej 10 milionë euro.

Pa përfshirë pajisjet brenda saj dhe shpenzimet për shkatërrimin e objektit të vjetër.

Ndërsa për rikonstruksionin e ish piramidës për ta përshtatur për ambjentet e Kuvendit sipas vlerësimeve paraprake duhen rreth 30 milionë euro.

Pra ndërtimi i një salle të re paraprakisht krijon një kosto në buxhet që varion nga 10 milionë deri ne 30 milionë euro.

Por vlera e piramidës sot në treg në këtë gjendje që është llogaritet me vlerën e tregut.

Nuk ka një vlerësim paraprak të kësaj pasurie, por piramida për shkak të volumit, sipërfaqes dhe aksesit për të qenë funksionale ka një vlerë disa herë më të madhe se hoteli “Dajti” në krah të saj për të cilin qeveria e shiti 30 milionë euro, pasi vetëm për ndërtimin e saj përpara viteve ’90 janë harxhuar, sipas arkitetit të saj zotit Klement Kolaneci, të paktën 30 milionë lekë, pa përfshirë investimet brenda objektit.

Ndaj prishja e saj krijon një kosto edhe më të madhe.

Për të gjitha këto argumenta ndërtimi i sallës së re të parlamenti jo vetëm shkakton dëm buxhetit të shtetit për të cilin Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të gjejë përgjegjësit, por kërkon investime shtesë të cilat në kushtet e buxheti aktual që po vuan nga pesha e defiçitit të lartë të shkaktuar nga borxhet e qeverisë, duket paradoks financiar me një shkëlqim po aq të rremë se ai i muzeut të ish-diktatorit Hoxha vite më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA