Inter fiton 4-3 ndaj Totenhemit

20/10/2010 22:40

Kanë mjaftuar 2 minuta lojë që Interi i Benitezit të kalojë në avantazh ndaj anglezëve të Totenhemit në ndeshjen e vlefshme për grupin A të Ligës së Kampionëve.

Ka qënë kapiteni Zaneti ai që ka gjetur rrugën e rrjetës i pari në “San Siro”. Argjentinasi pas disa kombinimeve të bukura të zikaltërve ka gjetur rrjetën kundërshtare pas një goditje diagonale brenda zonës së Totenhem.

7 minuta më vonë një episod brenda zonës së anglezëve vendos fatet e këtij takimi. Portieri Gomez ndërhyn keq ndaj sulmuesve të Interit duke shkaktuar 11 metërsh dhe duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq. Penalltia ekzekutohet nga Samuel Eto’o që nuk gabon dhe dyfishon rezultatin.

Vetëm 3 minuta më vonë, Stankoviç trefishon rezultatin pas një goditje të zgjuar në vijën e 16 metrave, goditje që shtang portierin Kudicini që zëvendësoi Gomezin pas largimit të tij me të kuq.

Kampionët në fuqi nuk mjaftohen me kaq dhe 10 minuta nga përfundimi i fraksionit të parë të ndeshjes katërfishojnë rezultatin sërish me Eto’o. Pjesa e parë mbyllet 4-0 për italianët e Interit.

Në pjesën e dytë edhe pse me 10 lojtarë, anglezët kërkojnë më shumë golin, ndërkohë që Inter duke qënë në avantazhin e 4 golave ka ulur marshin e tij duke lënë londinezët të përfitojnë për të shënuar golin e parë në minutën e 52 të takimit.

Në minutat e fundit të takimit sërish Bale shënon edhe 2 gola të tjerë duke ngushtuar rezultatin në 4-3 dhe duke frikësuar zikaltërit që e nisën si mos më mirë këtë ndeshje. Gjithësesi koha e mbetur nuk mjafton për suprizën e anglezëve dhe ndeshja përfundon 4-3 për Interin.

Interi fiton 4-3 dhe kryeson grupin A me 7 pikë i ndjekur nga Totenhem me 4 pikë dhe Tuente e Verder Bremen, që ndanë nga një pikë pas barazimit 1-1 në Holandë, me 2 pikë.

Në grupin B Lioni mundi Benfikën 2-0 ndërsa gjermanët e Shalkes mposhtën 3-1 izraelitët e Hapoel Tel Aviv. Grupi kryesohet nga Lion e Shalke me nga 6 pikë, ndjekur nga Benfika 3 dhe Hapoel 0.

Në grupin C Mancester Junajted fitoi minimalisht 1-0 me turqit e Bursasportit ndërsa Renxhërs barazoi 1-1 në Skoci me Valencian. Grupi kryesohet nga Mancesteri me 7 pikë i ndjekur nga Renxhers me 5, Valencia 4 dhe Bursaspor 0 pikë.

Megjithë volumin e lojës dhe rasteve të shumta Barcelona nuk ka shkuar më shumë se rezultati 2-0 me Kopenhagenin ndërkohë që Panathinakosi ka barazuar pa gola me Rubin Kazanin. Grupi kryesohet nga Barcelona me 7 pikë, ndjekur nga Kopenhageni me 6 pikë, Rubin Kazani 2 dhe Panathinaikosi 1.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA