Hemoragjia e sportistëve

20/10/2010 15:45

Mundësi shqiptar Elis Guri braktis ngjyrat kuqezi për të garuar tashmë nën flamurin bullgar. Nëpërmjet një deklarate për shtyp Federata Bullgare e Mundjes ka pohuar se 27 vjeçari shqiptar ka marrë nënshtetësinë bullgare.

“Për shumë arsye ai kërkoi me dhunë duke deklaruar se e donte patjetër që të garonte me bullgarët. Arsyet që na ngriti ishin thjesht teknike. Përsa i përket kushteve teknike ne nuk mund t’ia siguronim. Specifika e tij ishte 120 kile dhe për të arritur rezultate të larta ai duhet të ndeshej se s’bën me peshën e tij kur në Shqipëri ishte i vetmi. Në këto kushte në ishim të detyruar të jepnim largimin e tij. Tashmë ai është shtetas bullgar dhe mund të garojë me Bullgarinë”, është shprehur presidenti i Federatës së Mundjes, Viron Bezhani.

Por, garimi i Elis Gurit në aktivitetet ndërkombëtare me kombëtaren bullgare duhet të marrë edhe miratimin e KOKSH-it.

“Di që zyrtarisht KOKSH-i i është përgjigjur federatës bullgare se nuk e lejon sportistin Elis Guri të largohet nga Shqipëria. Nëse ne do ta shohim të pamundur pjesëmarrjen e Elisit dhe nëse ai këmbëngul që të marrë pjesë vetëm me Bullgarinë, atëherë edhe KOKSH-i nuk ka përse të bëhet pengesë për pjesëmarrjen e tij”, tha Bezhani.

Pas largimit të peshngritësve në vitet ‘90 dhe atletes Mirela Manjani, mundësi Elis Guri është një tjetër sportist që largohet nga Shqipëria për të garuar për një shtet tjetër.

“Është një humbje e jashtëzakonshme. Këtë e them me dhimbje sepse Shqipëria i ka me kokrra sportistët cilësorë”, theksoi Bezhani.

Ndërkohë mësohet se edhe mundësi tjetër Sait Prizreni ka kërkuar marrjen e nënshtetësisë australiane. Por veç refuzimit nga autoritetet australiane, Prizreni nuk ka marrë as miratimin e autoriteteve sportive shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA