Nëpërmjet zëdhënëses Alma Katragjini, Policia e Tiranës njoftoi arrestimin e një 19-vjeçari në Tiranë si autor të vrasjes së Shkëlqim Nozlit, trupi i të cilit u gjet i hedhur në malin e Krrabës këtë të hënë.
Zëdhënësja deklaroi se autor i dyshuar i këtij krimi është i riu Albano Kusi i padënuar më parë.
Po kështu në lidhje me këtë ngjarje u arrestuan në flagrancë edhe dy punonjës të policisë së burgjeve, shtetasit Ilir Ademi dhe Julian Nuho të cilët akuzohen për moskallëzim krimi.
Zëdhënësja Katragjini tha se dy policët kishin ndërmjetësuar mes autorit të krimit dhe viktimës, pasi 19 vjeçari ka tentuar t’i shesë dy pistoleta viktimës kundrejt pagesës së 2 mijë eurove.
Shkëlqim Nozli u gjet i ekzekutuar disa metra larg rrugës nacionale Tiranë-Elbasan në kilometrin 22 në Krrabë, 24 orë pasi ishte larguar nga banesa e tij në fshatin Mezez.
Top Channel