Stadiumi i ri si harta e Shqipërisë

19/10/2010 23:10

Studio arkitekturore spanjolle RFA ka marrë përsipër projektin e stadiumit të ri që do të ndërtohet në stadiumin kombëtar ekzistues “Qemal Stafa”. Kjo firmë prej disa muajsh ka studiuar mangësitë kryesore të këtij stadiumi duke theksuar dhe konceptet që ka ajo për projektin e stadiumit të ri.

Nga vëzhgimet e tyre stadiumi aktual ka disa mangësi vizuale, përveç faciliteteve e kushteve që nuk plotësojnë asnjë nga normat ndërkombëtare të UEFA-s dhe FIFA-s.

Sipas studios RFA stadiumi aktual përveçse ka një kapacitet të vogël prej 19.000 vendesh, nuk është i paraqitshëm, fusha e atletikës që e rrethon krijon një hapsirë të madhe dhe humbet atmosferën që krijojnë tifozët, nuk është i mirëmbajtur, ndërtesa e stadiumit është e çrregullt pa studim, me vështirësi qarkullimi për rreth dhe me dyqane të sajuara duke mos të dhënë mundësinë e zhfrytëzimit të hapsirave poshtë për dyqane restorante apo qëndra biznesi.

Projekti i tyre i ri është ndërtuar në bazë të tre koncepteve, i pari lidhet me formën e hartës së Shqipërisë, duke qenë se pozita jonë gjeografike ka një orientim veri-jug, të ngjashëm me orientimin e një fushe futbolli. Koncepti i dytë lidhet me sfondin e thyer malor të Tiranës, një reliev i ashpër dhe i fortë, gjithçka që përfshihet në këtë projekt të stadiumit dhe koncepti i tretë ka të bëjë me ngjyrat e flamurit tonë, e kuqja dhe e zeza, që do të jenë dhe ngjyrat e fasadës së këtij stadiumi të ri.

Ky stadium do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 41.500 metrash katrorë e do të ketë mbi 30 mijë vende për tifozët, 75% e tyre do të jetë e mbuluar ndërkohë që janë projektuar edhe 330 vende parkimi. Ai do të jetë i ndarë në dy pjesë. Pjesa e poshtme e stadiumit mban mbi 17 mijë vende ku përfshihen 525 vende VIP, ndërkohë që pjesa e sipërme do të ketë rreth 16 mijë vende, ku përfshihen sërish edhe 320 vende VIP.

Gjithçka perfekte për një stadium të standartit ELIT të UEFA-s, një ndër nivelet më të larta që është projektuar studio RFA, e njëjta që ka bërë projektin e stadiumit të Valencias, Espanjolit, Atletikos së Madridit e disa prej stadiumeve të vendeve të tjera europiane.

Tashmë marrëveshja është arritur, nuk mbetet gjë tjetër vetëm që punimet të fillojnë për të pasur brenda 2012-s një stadium të ri.

FOTO GALERI
4/8
Projekti i stadiumit të ri mbi 30 mijë vendësh

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA