Në një intervistë të publikuar nga francezja “L’Equipe”, ish-piloti Alain Prost deklaron se Schumacher “duhet të thonte që po kthehej në Formula 1 për të ndihmuar shokun e ekipit, Nico Rosberg, ose mikun e tij të vjetër Ross Brawn” në mënyrë që të hiqte presionin ndaj vetes.
Francezi mendon se kthimi i “Kaiserit” në pista me qëllim fitimin e kampionatit ishte një mungesë përulësie nga ana e kampionit gjerman.
Në lidhje me rezultatet jo të kënaqshme që ka arritur Schumacher në këtë sezon, Prost mendon se është “vetëm çështje moshe. Nuk besoj se është përshtatja me gomat problemi i tij sepse gjithmonë ka arritur t’i përshtatet kushteve të ndryshme që ka hasur.”
“Thjesht nuk është e mundur të kthehesh në moshën 41 vjeçare dhe të jesh mes të parëve. Është çështje fiziologjike.”
Prost përfundon duke thënë që rikthimi i Michael Schumacher “ishte një vendim i gabuar. Nëse do vazhdojë të pilotojë edhe vitin e ardhshëm do jetë e njëjta histori.”
Top Channel