Pragvendimi, Ristani: Do votoj kundër

19/10/2010 08:20

Çështja e kutive të votimit shkon drejt një skenari të ndërmjetëm, por që politikisht sërish nuk i jep asnjë zgjidhje krizës aktuale.

Mes dilemave juridike dhe presionit të opozitës, duket se shumica ka pranuar në heshtje mosasgjësimin e fletëve të votimit të 28 qershorit 2009, për të vijuar punën për zgjedhjet e reja me kuti të reja.

Kjo mund të konkludohet nga prononcimi i djeshëm i kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, i cili, duke folur për gazetën “Shqip”, ka bërë të ditur “ngrirjen” e problemit në fjalë.

“Mbledhja është shtyrë pa afat dhe ende nuk ka një vendim të KQZ-së për të ridiskutuar për çështjen e kutive të votimit të përdorura në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe materialit zgjedhor që ato përmbajnë. Lidhur me përgatitjet e KQZ-së për zgjedhjet e ardhshme, unë i përmbahem mendimit të shprehur edhe më parë dhe që është se ‘blerja e kutive të reja vjen në kundërshtim me ligjin’. Në këtë frymë do të jetë edhe vota ime në komision, por kini parasysh që vendimet në KQZ janë kolegjiale, pasi KQZ-ja përbëhet nga 7 anëtarë”, tha Ristani.

Ky qëndrim përcjell qartë idenë e një administrimi teknik të krizës pa i mëshuar përmasës së saj politike.

Për të mbërritur në idenë e një “konservimi” të kutive të 2009-s, pa lejuar hapjen e tyre, e për pasojë vlerësimin e përmbajtjes së materialit zgjedhor si provë materiale për hetimin parlamentar, mund të shërbejë edhe votimi i fundit në KQZ.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA