Kanë mjaftuar më pak se 2 minuta që Milani të kapitullonte përballë Realit të Madridit në superndeshjen e ditës së tretë të Ligës së Kampioneve të luajtur në “Santiago Bernabeo”.
Vendasit kaluan që në minutën e 13 në avantazh, kur Kristiano Ronaldo duke përfituar edhe nga çarja e murit kuqezi, shënon me anë të një goditje standarte pranë vijës së 16 metrave.
Vetëm pak sekonda më vonë një top i rekuperuar në mesfushë nxjerr skuadrën merengues në kundërsulm të rrezikshëm me Ronaldon. Portugezi pas shkëputjes në krahun e majtë fut një top të bukur në zonë për Ozil, gjuajtja e të cilit e devijuar nga mbrojtësi italian, Bonera ka nxjerrë jashtë loje portierin kuqezi, Amelia.
Pas këtij çasti Milani fiton më shumë terren në fushë duke iu afruar edhe golit. Pikërisht në minutën e 29 një goditje e Pirlos prek traversën e portierit Kasijas që gjithësesi nuk ndryshon rezultatin. Minutat në vazhdim megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave për të gjetur rrugën e rrjetës nuk sollën ndryshim rezultati.
Reali mund Milanin dhe kryeson i vetëm grupin G me 9 pikë, ndërkohë që Milani mbetet në kuotën e 4 pikëve, po aq sa Ajaksi që fitoi 2 me 1 me francezët e Aukserit të cilët mbeten në kuotë e 0 pikëve.
Në grupin E Bajerni mundi 3-2 Clujin, ndërkohë që supriza mbetet Bazeli që ka fituar me Romën në stadiumin “Olimpiko” me rezultatin 1-3. Pas ndeshjeve të treta ky grup udhëhiqet nga Bajerni me 9 pikë, ndërkohë që Roma, Bazeli dhe Cluj ndajnë vendin e dytë me nga 3 pikë.
Në grupin F Marseja merr 3 pikët e para të fazës në grupe pasi mundi 1-0 Zilinën ndërkohë që Celsi fitoi 0-2 në ndeshjen e luajtur më herët ndaj Spartakut të Moskës. Grupi udhëhiqet nga Celsi me 9 pikë i ndjekur nga Spartaku i Moskës me 6, Marseja 3 dhe modestët e Zilinës 0.
Arsenali shkatërroi Shaktarin 5-1 në ndeshjen e vlefshme për grupin H, ndërsa portugezët e Sporting Braga mundën 2-0 Partizanin e Beogradit. Topçinjtë udhëheqin grupin me 9 pikë, të ndjekur nga Shaktari 6, Braga 3 dhe Partizani i Beogradit 0 pikë.
Liga e Kampionave rikthehet të mërkurën me ndeshjet e grupeve A, B, C dhe D, ku spikat sfida Inter-Totenhem.
Top Channel