Lala nuk dorëzohet: Luaj edhe një vit

19/10/2010 12:35

Pesha e viteve në supe nuk e kanë rënduar. Dëmtimet e shumta të këtyre dy viteve të fundit nuk ia kanë hequr pasionin dhe dëshirën.

Altin Lala shfaqet luftarak edhe tashmë që qëndron prej muajsh jashtë fushës, ashtu si të gjithë e njohin në katërkëmbëshin e gjelbër. Kapiteni i Kombëtares shqiptare nuk ka ndërmend të dorëzohet. Me vullnet, po punon të rehabilitohet pas dëmtimeve të shumta.

Edhe pse kontrata e mesfushorit shqiptar me Hanoverin përfundon gjatë verës së ardhshme, ai shpreson të luajë ende me ekipin e Bundesligës gjermane, tek i cili e kaloi pjesën më të madhe të karrierës. Pas një muaji, Lala feston 35-vjetorin e lindjes.

“Të shohim nëse do të jem në gjendje të luaj sërish. E rëndësishme është që të jem mirë me shëndet, të arrij të zhvilloj paraqitje të mira dhe më pas të mendoj se mund të luaj edhe një vit. Pas 3-4 javësh besoj se do të kthehem sërish në formën optimale dhe shpresoj të luaj përsëri”, deklaroi kavajasi në një intervistë për televizionin zyrtar të Hanoverit, “96TV”. Shqiptari nënvijëzon se asnjëherë nuk është penduar që zgjodhi të bëhej futbollist: “Ky është viti im i 13 te Hanoveri dhe jam i lumtur që jam bërë futbollist. Ky mbetet pasioni im”. Tifozët e skuadrës shpresojnë që mesfushori të rikthehet sa më shpejt, për të ndihmuar ekipin, ndërsa Lala premton se do të japë kontributin e tij. Numri 14 shpresonte të ndihmonte Kombëtaren, të paktën në sfidën kualifikuese me Bjellorusinë, por nuk arriti të rikuperohej në kohë. Gjithsesi, ai e shfrytëzoi pushimin 2-javor për ndeshjet e përfaqësueseve europiane për t’u stërvitur me intensitet. Ai është aktivizuar në një ndeshje miqësore, ku është përshëndetur nga tifozët, të cilët presin me padurim të rikthehet. Aktualisht Hanoveri ndodhet në vendin e gjashtë në Bundesligë. Një surprizë kur kujton problemet e sezonit të kaluar, por jo sipas Altin Lalës. Ai thekson se e priste që diçka e tillë të ndodhte. “Të gjithë kanë punuar mirë: trajneri, stafi teknik dhe futbollistët, të cilët kanë luftuar dhe kanë dhënë zemrën në fushë. I kemi merituar fitoret”, tha Lala.

34-vjeçari foli edhe për ecurinë e Kombëtares shqiptare në Grupin D kualifikues të Euro 2012. Ai mendon se kuqezinjtë kanë shansin të rifuten në rrugën e duhur në përballjen e marsit 2011 me Bjellorusinë: “Kualifikimi? Është i vështirë. Kemi pasur disa dëmtime dhe jemi ndalur nga Bjellorusia, ku humbëm. Por, ndeshja e ardhshme që zhvillohet në Shqipëri, kundër bjellorusëve, mund të na japë sërish shpresa”. Qëllimi është që edhe kapiteni ta ndihmojë përfaqësuesen, ndërsa rekordi i përfaqësimeve me fanellën kuqezi (ka 71 ndeshje) nuk është prioritet. “Rekordi nuk është objektiv i imi, sepse kam menduar që të largohesha prej kohësh, por presidenti dhe Federata më bindën të vazhdoja. Mbi të gjitha, synoj që të ndihmoj vendin tim. Është gjithmonë kënaqësi të luaj për Shqipërinë”, përfundoi Lala.

Top Channel