Familja e Dritan Prroi, pastorit të vrarë për gjakmarrje në Shkodër, banon në periferi të qytetit.
Pastori u qëllua për vdekje në mes të qytetit nga një 21 vjeçar që u kap në flagrancë dhe që pranoi se vrasjen e bëri për gjakmarrje. Në shtëpinë e Dritanit i vëllai tregon se me këtë vrasje u shkelën të gjitha ligjet, edhe ato të kanunit, pasi Dritan Prroi, pastor, u vra me bibël në dorë.
“Më vjen keq kur shteti shqiptar nuk vepron kur sot në shekullin e 21 shikon që po vriten gra, fëmijë, burra, njerëz fetarë”, është shprehur Paulin Prroi.
Për këtë vrasje dhe kundër gjakmarrjes pritet të mbahet edhe një protestë në Tiranë.
“Ai nuk kishte frikë sepse predikonte fjalën e Zotit. Dritani thoshte se nëse do Perëndia që të sakrifikohem, le të sakrifikohem për familjen”, theksoi ai.
Dritan Prroi ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë. Pas vrasjes që bëri xhaxhai i tij, ai e priste një ngjarje të tillë dhe ishte angazhuar në luftën kundër gjakmarrjes. Pastori refuzoi të qendronte ende i ngujuar deri sa humbi edhe jetën.
Top Channel