SHBA: Shqipëria ende probleme me demokracinë

18/10/2010 23:00

Shqipëria ka ende probleme me demokracinë dhe kriza parlamentare në vend po vazhdon, ndërkohë që partitë kanë dështuar të krijojnë një dialog të qendrueshëm me njëra-tjetrën për të tejkaluar dhe zgjidhur problemet. (UPDATE)

Ky është mesazhi që ka dhënë zv/ndihmës Sekretari amerikan për Europën në Departamentin e Shtetit, Tom Kantrimen.

“Besoj se të gjithë ne jemi në një mendje se Shqipëria ende nuk e ka arritur fuqizimin e qendrës demokratike, aftësinë për të pasur një sistem politik të qendrueshëm në të cilin të gjitha partitë të bashkëpunojnë për të mirën e popullatës. Një nevojë e tillë është nënvizuar nga kriza parlamentare në Shqipëri”,deklaroi Kantrimen.

Zoti Kantrimen vlerësoi progresin e Shqipërisë, anëtarësimin në NATO dhe për rolin në stabilitetin në rajon përmes një politike të jashtme të përgjegjshme.

Duke u ndalur të Kosova, Kantrimen tha se ky shtet ka shumë për të bërë si çdo shtet i ri shumëetnik.

“Megjithatë, siç e tha edhe Sekretarja e Shtetit gjatë vizitës së saj, ky është një vend i ri, me një krah pune në moshë të re dhe energjik, me një Kushtetutë që mbron të drejtat e pakicave si çdo Kushtetutë tjetër në Europë”, nënvizoi Kantrimen.

Sipas tij dialogu mes Serbisë dhe Kosovës është një ndër sfidat kryesore në rajon. Kantrimen nënvizoi se ky proces duhet të jetë praktik, me imagjinatë dhe edukativ për të dyja palët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA