
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama është treguar i prerë në përgjigjen dhënë kryeministrit për reformën zgjedhore.
Për liderin e opozitës, më parë duhet të kryhet transparenca e zgjedhjeve të shkuara, si një domosdoshmëri që do t’i hapte rrugë përmirësimeve reale dhe jo cungimeve të ofruara nga Berisha, që kanë për synim, sipas Ramës, të mbulojnë manipulimet e zgjedhjeve të vitit të shkuar.
“Shqipërisë nuk i duhet një tjetër Kod Zgjedhor i shkelur me të dyja këmbët nga pushteti si në zgjedhjet e shkuara, po i duhet garancia se në zgjedhjet e ardhshme Kodi Zgjedhor nuk do të shkelet. Këtë garanci mund ta japë vetëm transparenca e kutive ku fshihen gjurmët e vjedhjes së kryer në 28 qershor dhe ne jemi gati të ulemi për ta përmirësuar ligjin ekzistues të zgjedhjeve kur Sali Berisha të jetë gati të hapë rrugën e kësaj transparence. Përndryshe faji i mbetet atij që e ka, Sali Berishës”, ka deklaruar Rama.
Sipas Ramës, kryeministri e shpërdoroi njëherë besimin e opozitës, e cila dha konsensus të gjerë para zgjedhjeve të shkuara.
“Dhamë besimin tonë për hir të nevojës jetike të vendit që të mbyllej kapitulli i konfliktit politik, duke i vënë kapak njëherë e mirë zgjedhjeve të vjedhura, të deformuara e të kontestuara, dhe duke hapur një epokë të re të bashkëjetesës pluraliste në këtë vend. Por sic e dinë të gjithë, këtë besim Sali Berisha e shpërdoroi duke vjedhur zgjedhjet, mbyllur kutitë e krimit elektoral dhe plackitur Shqipërinë ditë për ditë bashkë me Ilir Metën”, ka shtuar Rama.
Me shpërdorim të besimit, socialistët i referohen refuzimit të mazhorancës për të hapur kutitë me kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së, sic ishte shkruar në Kodin Zgjedhor.
Top Channel