Marku: PS kërkon me c’do kusht pushtetin

18/10/2010 22:00

Deputeti demokrat Mark Marku ka deklaruar se opozita e majtë vuan nga dëshira për të ardhur në pushtet.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Marku është shprehur se për të arritur këtë qëllim, PS ka hequr dorë nga rrugët ligjore dhe ka zgjedhur dhunën dhe protestat.

“Opozita është e kushtëzuar vetëm nga nevoja për të ardhur në pushtet. Unë mendoj se opozita nuk mund të vijë ndryshe në pushtet, vecse duke qenë institucionale dhe duke iu nënshtruar një përgjegjësie politike”, ka pohuar Marku.

“Deri tani opozita shqiptare nuk ka treguar asnjë akt përgjegjësie. Ka organizuar protesta, greva dhe ka bërë thirrje për rrëzimin e qeverisë me dhunë. Në këtë mënyrë PS mund të fitojë simpatinë e militantëve por nuk arrin të fitojë simpatinë e shqiptarëve për ta mbështetur për të ardhur në pushtet”, ka nënvizuar ai.

Sipas tij, nëse PS me kryetarin e saj Edi Rama do të kërkonte me të vërtetë transparencë, atëherë ajo do t’i drejtohej gjykatës dhe jo asaj pale që e akuzon se ka bërë grabitjen.

“Nëse do të donte me të vërtetë transparencë, PS s’do të kishte bërë gjithë këtë zhurmë, por do ndiqte procedurat. Kjo që ajo bën tani është absurde. Gjëja e parë që duhet bërë është t’i drejtohesh gjykatës. Nuk mund t’i drejtohem unë për transparencë një njeriu që më ka grabitur mallin”, ka shtuar Marku.

Top Channel