Diabeti, më të rrezikuarit,mosha e tretë

18/10/2010 09:20

Pacientët me diabet duhet të konsultojnë rregullisht mjekun specialist për të mbajtur në kontroll sëmundjen. Ndërkohë që statistikat e të prekurve, sipas mjekëve kanë pësuar rritje nga viti në vit.

Sëmundja e diabetit është një nga diagnozat më të shpeshta që po haset në popullsinë shqiptare. Mjekët thonë se numri më i lartë i pacientëve me këtë sëmundje e zënë moshat e treta. Faktorët janë të shumëllojshëm, ndërkohë që ata apelojnë që qytetarët duhet të kenë kujdes në trajtimin e saj.

Sipas mjekëve, kontingjenti që preken më shumë nga sëmundja e diabetit, veç moshës së tretë, janë personat obezë.

“Në moshat e treta kjo përqindje është më e lartë. Diabeti në këto mosha mund të haset 2-3 herë më shpesh sesa në popullatën e përgjithshme. Me kalimin e moshës, vetë diabeti shtohet si mundësi që të shfaqet më tej. Plus faktorët e tjerë, që kjo popullatë lëviz më pak, merr medikamente që mund të shfaqë ose të rëndojë diabetin”, shpjegon Florian Toti, mjek endokrinolog.

Mjekët, ndërkohë këshillojnë për disa kategori pacientësh që vuajnë nga diabeti, duhet të ndjekin rregulla të rrepta. Konsultimi me mjekun specialist duhet të jetë i shpeshtë. “Një person diabetik që trajtohet vetëm me antidiabetik oral ose vetëm me dietë dhe që shkon mirë, mund të takohet me specialistin dhe njëherë në tre muaj. Një diabetik tjetër që ka shumë probleme shëndetësore, ose që për një periudhë shumë të gjatë diabeti nuk po shkon mirë mund të kontrollohet dhe çdo dy javë”, sqaron Toti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA