Itali-Serbi: 200 mijë euro huliganëve

16/10/2010 13:50

Dy bosë mafiozë shumë të kërkuar prej kohësh në Serbi kanë paguar më shumë se 200 mijë euro për nxitjen e trazirave në stadiumin “Marassi” të Xhenovës, në ndeshjen Itali-Serbi.

Ky është lajmi i publikuar nga gazeta serbe “Politika”, që njihet si përkrahëse e qeverisë.

Duke iu referuar disa burimeve në polici, gazeta shkruan se janë krerët e dy bandave kriminale në vend, njëri i kërkuar për trafikun e kokainës ndërsa tjetri i kërkuar për një seri vrasjesh dhe përdhunimesh.

“Ka shumë mundësi që dy mafiozët, edhe pse janë rivalë, të kenë financuar rrëmujat në Xhenova, pasi interesi i tyre është i përbashkët, të krijojnë kaos në Serbi”, ka pohuar për gazetën një burim që ka preferuar të mbetet anonim.

Një tjetër pistë, sipas po kësaj gazete, janë dhe konfliktet e brendshme në Federatën Serbe të Futbollit, por sipas hetuesve kjo pistë konsiderohet e dobët.

Në mesjavë, në stadiumin e Xhenovës, ultrasit serbë e shndërruan atmosferën e ndeshjes në një shfaqje kafshërore me burime ultranacionaliste ballkanase.

Përvec parullave kundër pavarësisë së Kosovës, njëri nga tifozët serbë, i quajtur Ivan Bogdanov, dogji flamurin shqiptar.

Në fund kjo gazetë thekson se të arrestuarit në Itali kanë precedentë penalë edhe në vendin e tyre. Një vit më parë policia serbe ngriti kallëzim penal ndaj tyre për sjellje të dhunshme në veprimtaritë sportive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA