Curri: Në Minks, ndeshja më e dobët

15/10/2010 12:45

Ishte një prej mungesave të mëdha të Shqipërisë. Për shkak të dëmtimit në gju, të pësuar në klubin e tij Gençlerbirligi, Debatik Curri do të mungojë për afro gjashtë muaj nga fushat e lojës.

Megjithatë, ai i ka ndjekur nëpërmjet televizorit ndeshjet e Shqipërisë, ndërsa ka analizuar si mjaft të dobët paraqitjen e skuadrës në Bjellorusi. Mbrojtësi ka theksuar se sfida e së martës në Minks, ka qenë ndoshta më e keqja për përfaqësuesen. Lëndimi e detyroi 26-vjeçarin të humbiste sfidën në “Qemal Stafa” me Bosnjë-Hercegovinën, që përfundoi në barazim 1-1, ndërsa edhe mungesa e Lorik Canës në Bjellorusi krijoi një hendek të madh në repartin difensiv.

Loja e Kombëtares shqiptare kundër Bjellorusisë ishte e zbehtë, ndërsa humbja 2-0 shënoi fundin e ecurisë pozitive, gjatë të cilës skuadra kishte tetë ndeshje pa pësuar humbje. Përveç Currit dhe Canës, në atë ndeshje munguan edhe Erjon Bogdani (i pezulluar me kartonë) dhe Altin Lala (i cili nuk arriti të rikuperohej në kohë). Kuqezinjtë u shfaqën të paorganizuar, jashtë forme dhe të pafuqishëm për t’u matur me bjellorusët, që cilësohen si një rival direkt në Grupin D kualifikues të Euro 2012. Megjithatë, Curri nuk mendon se mungesat e lojtarëve që krijojnë boshtin e skuadrës mund të përdoren si justifikim për atë paraqitje të dobët. “Çdo mungesë në ekipin tonë ka peshë dhe ndihet. Shqipëria nuk ka një skuadër me yje dhe me shumë konkurrencë, gjë që do të bënte që mungesat e lojtarëve të ndryshëm të mos vërehen, deklaroi ai për kosovaren ‘Express’. Por, pavarësisht mungesave, mund të them se loja e skuadrës ka qenë mjaft e dobët. Për të qenë i sinqertë, nuk kisha parë ndonjëherë në të kaluarën një paraqitje më të dobët se ajo në Bjellorusi”.

Më tej, 26-vjeçari ka shtuar se paraqitja në Minsk nuk ishte maksimumi i potencialit të skuadrës, ndërsa thekson se ndoshta temperaturat e ulëta kanë ndikuar te futbollistët e përfaqësueses. Ai shtoi: “Bjellorusia nuk ka ekip që të na mposhtë 2-0, mbi të gjitha pa asnjë lloj rezistence. Lojtarët e tyre nuk janë edhe aq cilësorë dhe mos të harrojmë që përballë Shqipërisë edhe ata kishin mungesa të rëndësishme. Mbrojtja me probleme dhe sulmi jo efektiv? Në pjesën e parë skuadra jonë dukej sikur ishte e përgjumur dhe nuk kishte iniciativë”. Pas katër ndeshjeve të para, Shqipëria ndodhet në vendin e tretë në grupin kualifikues, në kuotën e 5 pikëve. Franca kryeson me 9 pikë, ndërsa Bjellorusia është e dyta me 8. Ndërkohë, Bosnja (4 pikë) dhe Rumania (2 pikë) kanë një ndeshje më pak.

Top Channel