Ushtarakët: Relacioni për pensionet suplementare

14/10/2010 08:55

Publikohet relacioni për pensionet suplementare. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka publikuar të dhënat për llogaritjen dhe rillogaritjen e pensioneve për ushtarakët e Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës.

Po ashtu relacioni përmban të dhëna për procedurat e punonjësve të Shërbimit Informativ, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.

Për personat që e drejta për përfitim, sipas ligjit, u ka lindur nga data 27.06.2009 e në vazhdim, procedura e dorëzimit të dokumenteve dhe e caktimit të përfitimit do të jetë si më poshtë: Inspektori i pensioneve suplementare, me paraqitjen e personave që përfitojnë nga ligji në zyrën e sigurimit suplementar, vë në dispozicion të tyre dy kopje të kërkesës-format për pension të parakohshëm apo për pension suplementar pleqërie, sipas rastit, si dhe listën e dokumenteve që ata duhet të paraqesin.

Inspektori e regjistron kërkesën në regjistrin e posaçëm duke i vendosur dhe numrin përkatës, çel një dosje, në të cilën vendos kërkesën bashkë me dokumentet e sjella nga përfituesi, e plotëson atë me dokumentet e tjera që jepen nga sigurimet shoqërore dhe e vendos në pritje për ta bashkëlidhur edhe me dokumentet që pritet të vijnë të plotësuara nga ministritë apo institucionet përkatëse. Inspektori orienton përfituesin që një kopje të kërkesës ta dërgojë pranë institucionit që e ka nxjerrë në lirim, i cili do të plotësojë dokumentet e parashikuara.

Me mbërritjen e dokumentacionit nga institucionet përgjegjëse për personin përfitues, inspektori i bashkon ato në dosjen përkatëse dhe brenda 2 ditëve llogarit masën e pensionit, sipas përcaktimeve ligjore.

Top Channel