Universitetet, miratohen shtesat për sistemin e ditës

14/10/2010 08:50

Qeveria miraton vendimin për kuotat e pranimit në institucionet e arsimit të lartë, cikli i parë i studimeve me kohë të plotë si dhe për tarifat e studimit.

Sipas vendimit, pranimi i studentëve në shkollat e larta publike bëhet në dy raunde dhe mbështetet në rezultatet e shkollës së mesme, të maturës shtetërore (merita), si dhe përzgjedhjes së programeve të studimit (preferenca) të bërë nga vetë kandidati/ja.

Kuotat, që mbeten të parealizuara, rishpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bazë të propozimeve të institucioneve publike të arsimit të lartë.

Shpërndarja e kuotave realizohet nëpërmjet plotësimit të formularit të ri të aplikimit (A3) sipas preferencave të kandidatëve.

Kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3, të gjithë kandidatët, të cilët kanë aplikuar me formularin A2 dhe nuk figurojnë të regjistruar në asnjë program studimi, edhe pas mbylljes së fazës përfundimtare të regjistrimeve.

Kuotat e parealizuara, pas përfundimit të fazës përfundimtare të regjistrimeve në programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të plotë, për vitin akademik 2010-2011, të shpërndahen, sipas tabelës së propozuar nga Ministria e Arsimit.

“Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi”, sqarohet në vendim.

Sipas qeverisë, ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

Top Channel