Qeveria dëmshpërblen dy ish-pronarë me 10 mijë euro

14/10/2010 09:00

Këshilli i Ministrave ka paguar dje nga fondet e buxhetit të shtetit një faturë të majme në lidhje me dëmshpërblimin financiar që u jep ish-pronarëve, detyruar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Kështu, në vendimet e djeshme të Këshillit të Ministrave theksohet se qeveria ekzekutoi dje vendimin e Strasburgut, në kuadër të fitimit të së drejtës të dy familjeve shqiptare në këtë gjykatë.

“Qeveria ekzekutoi vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, ‘Laska dhe Lika kundër Shqipërisë’, në shumën 4800 (katërmijë e tetëqind) euro, për secilin ankues, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin në masën 10 për qind të kësaj shume”, theksohet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Vendimi që i jep të drejtën dy familjeve të ish-pronarëve për dëmshpërblim financiar ndaj shtetit shqiptar është marrë në datën 20 prill të këtij viti nga ana e Gjykatës së Strasburgut dhe vetëm dje, pas gjashtë muajsh, qeveria liroi fondin për kompensim.

“Autoriteti përgjegjës për ekzekutimin e këtij vendimi është Ministria e Financave dhe afati për kryerjen e ekzekutimit është data 20.10.2010. Efekti financiar i këtij vendimi të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit”, theksohet në vendim, duke lënë si afat një javë për marrjen e përfitimit nga familjarët.

Po kështu, vendimi sqaron se shuma prej rreth 10 mijë eurosh që u takon dy ish-pronarëve do të tërhiqet nga ata nëpërmjet njërës prej bankave të nivelit të dytë në vend dhe të ardhurat do të konvertohen në lekë me kursin e këmbimit të bankës, ku është depozituar shuma.

Qeveria ngarkon ministrin e Drejtësisë dhe atë të Financave për ekzekutimin e këtij vendimi.

Top Channel