
Ka qenë dita e fundit e jetës së tij, ajo e festimit të 18-vjetorit të lindjes për Qemal Avdiun nga Saranda. Ai është gjetur i pajetë nga familjarët në banesën e tij, mëngjesin e së mërkurës.
Ngjarja ka ndodhur pak minuta para se ora e mëngjesit të djeshëm të shënonte 06.00. I vëllai më i madh në moshë se Qemali, ka shkuar për ta zgjuar nga gjumi, por ka mbetur i shtangur kur ka parë se ai nuk u përgjigjej fjalëve të tij.
Pas kësaj, thellësisht i tronditur ka njoftuar prindërit, të cilët janë marrë me transportimin e të birit për në spitalin “Petro Nako” të Sarandës.
Por mjekët konfirmuan se ndihma mjekësore është kërkuar tepër vonë, pasi i riu nuk shfaqte shenja jete kur ka mbërritur në dyert e urgjencës “Stefan Mekshi”.
Të pllakosur nga zija e humbjes së djalit, familjarët tregojnë se kanë mbetur të shtangur nga kjo vdekje e papritur.
Ai u ka dhënë mundësinë të përjetojnë edhe gëzimin e ditëlindjes së tij, pas mbushjes së 18 vjetëve, dhe pas kësaj ka ardhur hidhërimi i madh.
Pikërisht në mbrëmjen e së martës, mes shokëve dhe familjarëve, Qemali ka festuar ditëlindjen e tij, që ka kaluar për bukuri.
Ky është edhe një nga pengjet e mëdha të familjarëve, pasi ai nuk ka dhënë asnjë shenjë mërzie apo dhimbjeje në trup dhe pas kësaj ka ardhur humbja e jetës, në një mënyrë të pabesueshme.
Detajet rreth festimit të ditëlindjes në lokalin e xhaxhait të tij, që ngrihet buzë rrugës së 5-të të Sarandës, nuk lënë asnjë dyshim te shokët, familjarët dhe vëllai.
Ata kanë kaluar një festë normale dhe me shumë hare në lokal. Gjatë darkës mësohet se Qemali madje nuk e ka tepruar me pijen.
Mësohet se ka pirë vetëm 4 birra, pa i përzier me pije të tjera. Kështu festa ka vazhduar deri afër mesnatës së të martës dhe pas kësaj shoqëria është shpërndarë.
Qemali ka shkuar në shtëpi dhe familjarët kanë parë vetëm gëzim dhe kënaqësi në fytyrën e tij. Me zbardhjen e mëngjesit të djeshëm është konstatuar dhe është mësuar se ai ka ndërruar jetë.
Ndërkohë që kufoma është transportuar në morgun e spitalit, është njoftuar komisariati i policisë për ngjarjen dhe me të është marrë grupi hetimor. Ndërkohë që mjekët thanë se vdekja e të riut mund të ketë ardhur për shkak të ndonjë ataku kardiak dhe se ka qenë vdekje natyrale, familjarët nuk kanë firmosur për t’u bërë autopsia e kufomës.
Nga grupi hetimor u shprehën se në trupin e viktimës nuk janë parë shenja dhune apo plagë të shkaktuara nga ndonjë rrëzim i mundshëm, kështu që ato janë përjashtuar si shkak i vdekjes.
Versionit të vdekjes natyrale e përforcojnë edhe shokët e 18-vjeçarit Avdiu, të pranishëm në festimin e ditëlindjes.
Qemal Avdiu ishte djali i dytë mes dy fëmijëve të Ismail Avdiut.
Familjarisht ata banojnë prej 10 vitesh në lagjen Nr. 1 të Sarandës, ku kanë ardhur nga Mallakastra.
Mësohet se Qemali kishte mbaruar vetëm vitin e parë të shkollës së mesme hoteleri-turizëm “Antonio Athanas” në qytetin e Sarandës dhe këtë vit nuk e vazhdoi atë, ndërkohë që ishte në kërkim të një pune.
Top Channel