Opozita reagoi ashpër ndaj veprimit të kryeministrit Berisha, i cili përuroi sot një rrugë në Marqinet, zona që u prek më shumë nga shpërthimi në Gërdec.
Deputeti Taulant Balla tha se rikthimi i Berishës në vendin e tragjedisë është si rikthimi i kriminelit në vendin e krimit.
“Si një kriminel që nuk i reziston dot tundimit për t’u kthyer në vendin e krimit të tij të madh, babai i Shkëlzenit shkoi sot në Gërdec për të inauguruar një copë rrugë. Familjet e 26 viktimave dhe qindra të plagosurve prej më se dy vjetësh kanë treguar me gisht pikërisht Sali Berishën, ministrat, familjen dhe pushtetin e tij si autorë të këtij krimi të rëndë, ende të pandëshkuar. Kurse Sali Berisha shkon dhe inauguron një copë rrugë, derdh lot krokodili dhe bën thirrje që drejtësia të zbardhë të vërtetën”, ka deklaruar Balla.
Sipas tij, zbardhja e tragjedisë është e pamundur, duke qenë se ka qenë vetë kryeministri ai që ka shkatërruar të gjitha provat e krimit.
“Por çfarë të vërtete të zbardhë drejtësia, kur për fshehjen e saj babai i Shkelzenit s’ka lënë gur pa lëvizur, letra, vendime dhe shirita magnetofoni pa djegur. Sali Berisha tha se do ta kthejë vendin e krimit në një terren sportiv. Sa turp”, ka shtuar Balla.
Top Channel