Kuvend, Brace: Berisha po monopolizon tregun

14/10/2010 18:25

Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erjon Brace ka akuzuar qeverinë se po rrënon sektorët më jetikë të vendit, duke investuar për ta shifra qesharake.

“Arsimi është në gjëndje mizerabël, qeveria shpenzon vetëm 3.3 lekë. Shëndetësia po ashtu. Për tregtinë harxhohen vetëm 0.6 lekë, për sigurinë vetëm 1.3 lekë, për mjedisin 0.1 lekë. Kryeministri ka paguar vetëm 1.4 lekë për cdo 100 lekë të GDP-së”, ka deklaruar Brace.

Duke i cilësuar deklaratat e kryeministrit Berisha mbi ekonominë si demagogji, Brace ka kërkuar largimin e tij.

“Ky nuk është bollëk, por vetëm shpërndarje mjerimi. Ajo që quhet “Sali bollëku” përjetohet vetëm me mjerim në familjet shqiptare. Zoti kryeministër, largohu nga ekonomia pasi po e mbyt atë”, ka pohuar Brace.

Më tej Brace e ka akuzuar Berishën se po favorizon bizneset e njerëzve të afërt të tij, duke krijuar monopole të mëdha në treg.

“Zoti kryeministër, ti po favorizon vetëm njerëzit rreth teje. Telefoninë e lëvizshme, transportin, punët publike dhe miellin, ti po e ndan me klientët e tu. Të njëjtën gjë po bën me biznesin e reklamave dhe me tregun e kafesë. Të gjitha lokalet e Tiranës, Durrësit e Vlorës përdorin kafenë e tij që u jepet me dhunë tregtarëve, vetëm e vetëm që ajo të hyjë në treg”, ka shtuar Brace.

Pas tij fjalën e ka marrë kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci, i cili ka njoftuar largimin e deputetëve të PS nga seanca për shkak të mungesës së theksuar të deputetëve të mazhorancës.

“Në Kuvend nuk është as një e treta e mazhorancës. Deputetët e atyre karrikeve kanë ikur në drejtim të paditur. Më vjen keq për zgjedhësit e tyre. Ju nuk i meritoni këto karrike. Zoti drejtues i seancës, ne s’mund t’ju ndjekim më përderisa nuk ju ndjekin të zgjedhurit”, është shprehur Ruci.

Por në shkëmbim ai ka marrë një përgjigje ironike nga drejtuesi i seancës, i cili tha: “Zoti Ruci, ju keni 7 muaj që shkoni në drejtim të paditur”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA