Hoteli më i famshëm i Durrësit ndërron pronar

14/10/2010 08:30

Ish-hotel “Vollga” i kthehet pronarit, pretendohet mbivendosje pronësie.

Forcat speciale të policisë, të ardhura nga Tirana dhe ato të Durrësit, kanë mbështetur Zyrën e Përmbarimit për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor, i cili ka hasur në kundërshtimin e administratorit të godinës së ish-turizmit pranë shëtitores bregdetare dhe personave të punësuar në mirëmbajtjen e ruajtjen e saj.

Një pjesë e tyre që banojnë në të, kanë deklaruar se do të dalin prej andej vetëm të vdekur.

Problemet e pronësisë dhe vendimet e gjyqësorit kanë shkaktuar përplasje mes forcave policore, ekzekutuesve të vendimit dhe palës tjetër.

Policia deklaroi se është në mbështetje të ekzekutimit të një vendimi të gjyqësorit dhe çështja është konsideruar si pushtim prone, ndërkohë që kundërshtuesit folën për një vendim gjyqësor të korruptuar, ndërkohë që për pronësinë mbi objektin nuk është thënë ende fjala e fundit.

Gjatë konfliktit, policia shoqëroi në ambientet e komisariatit shtetasin Ilir Zakova, njëri prej vëllezërve që ka marrë në ruajtje ish-“Vollgën”.

Godina, dikur një nga krenaritë e qytetit të Durrësit, iu ble ish-pronares Alie Fortuzi, në vitin 1994, nga kompania arabe “Saudi Brothers Commercial Company”, një nga më të njohurat në Lindjen e Mesme.

Afro 10 vjet më vonë, një pasardhës i birësuar i ish-pronares, Zamir Hasa nga Elbasani, përmes një gjyqi me një nga administratorët e mëparshëm të godinës, merr në zotërim objektin me një vendim gjyqësor që finalizohet në vitin 2003.

Odiseja e gjyqeve për këtë objekt të ngritur në një nga zonat më të frekuentuara të Durrësit nga turistët dhe vendasit është mbyllur me ekzekutimin e vendimit të gjykatës, ndërkohë që një kallëzim penal është bërë nga administratori aktual i kompanisë pranë Prokurorisë së Durrësit për hetimin e këtij rasti duke pretenduar se pronësia është siguruar mbi bazën e falsifikimit të dokumentacionit.

Kompania arabe e pati blerë objektin për 800 mijë dollarë, 16 vite më parë përmes përfaqësuesit të pronares, Agim Sula.

Në vitin 2003, Zamir Hasa, përmes gjyqësorit pretendon se është pronë e nënës së tij, Alie Fortuzit, që e kishte birësuar.

Pronarja e objektit, 5 vjet pas shitjes së tij te kompania arabe, ndahet nga jeta. Edhe pasardhësi i saj, djali biologjik, vdes aksidentalisht.

Përmes një procesi gjyqësor, ku palë përfaqësuese e kompanisë arabe ishte një nga vëllezërit administratorë, shtetasi arab Muhamed Bauazeri, gjykata i njeh pronësinë Zamir Hasës.

Pavarësisht kundërshtimeve dhe pretendimeve, objekti është marrë në dorëzim nga pronari i njohur prej gjykatës.

Top Channel