Në Marqinet, një nga zonat më të prekura nga shpërthimi vdekjeprurës i Gërdecit, kryeministri Sali Berisha e inauguroi vetë rrugën që lidh Marqinetin me bashkinë e Vorës.
Investimet në këtë zonë, kryeministri Berisha i konsideron një detyrim personal jo vetëm për dramën e banorëve pas shpërthimit, por edhe për shkak të votëbesimit të marrë në këtë zonë në zgjedhjet e kaluara.
“Me votën tuaj ju treguat me mençuri të madhe se ju edhe mund të ishit të zemëruar, apo ju mund të votonit kundër qeverisë. Por ju nuk e bëtë atë dhe jo se nuk kishit alternativë tjetër, por ju e kuptuat se alternativa tjetër ishte lot krokodili për karriket e tyre dhe ju nuk u mashtruat”, ka deklaruar Berisha.
Duke folur për liberalizimin e vizave si meritë e qeverisë dhe e shqiptarëve, kryeministri Berisha, i cili cdo ditë ka akuzuar opozitën se është përpjekur të pengojë këtë proces, për herë të parë ka folur për përpjekje konkrete në shtyrjen e vendimmarrjes për heqjen e vizave. Por kreu i qeverisë këtë herë i la pa adresë të saktë keëto akuza.
“U bënë përpjekje për të trembur vende të ndryshme për heqjen e vizave për shqiptarët, u bënë letra në të cilat kërkohej të shtynin vizat gjer më datën 8 maj, pas zgjedhjeve. Deputetët e Europës nuk i morën parasysh këto kërkesa, por interesin e gjithsecilit prej jush. Unë jam i bindur se ju dhe të gjithë shqiptarët do të faktoni me qëndrimin tuaj se besimin që ju dhanë do ta shpërbleni me qëndrim dinjitoz në respekt të rregullave të përcaktuara për këtë procedurë heqjeje vizash për 90 ditë”, ka pohuar Berisha.
Top Channel