Shqipëria, thjesht formalitet për Bjellorusinë

12/10/2010 21:25

Nuk ka pasur histori ndeshja e Minskut për Kombëtaren shqiptare që mesa duket e nisi këtë takim nga pjesa e dytë e ndeshjes kundër Bosnjes, e mbyllur totalisht në mbrojtje dhe pa grintën e duhur.

Kanë mjaftuar vetëm 10 minuta që bjellorusët të tregojnë se kush komandon në fushë. Beqaj grushton por Rodionov la pas gjithë mbrojtësit duke e kaluar topin në rrjetë. I njëjti skenar edhe për minutat e ngelura të pjesës së parë ku vendasit mund të kishin shënuar me shumë.

Nga ana tjetër, Mustadanagic duket se nuk u dha grintën e duhur kuqezinjve që ia lehtësuan jetën kundërshtarit. Inekzistentë në pjesën e parë por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për 45 minutëshin e dytë ku u shfaqëm më efikasë edhe pse rastet më të pastra i patën bjellorusët. Molosh është treguar përherë i rrezikshëm nga e majta, ndërsa Rodionov dhe Tigorev nuk janë treguar konkretë.

Ka mjaftuar një gabim i Skelës nga e majta që i sapofuturi në lojë Krivels të përfitojë nga një krosim i ardhur nga e djathta, për të realizuar golin e sigurisë për Bjellorusinë. Me këtë fitore, Bjellorusia ngjitet në kuotën e 8 pikëve, 3 më shumë se kombëtarja kuqezi. Ndeshja tjetër e këtij grupi që po luhet sot është ajo mes Francës dhe Luksemburgut.  

Top Channel