Shqipëria, sot për surprizën e radhës

12/10/2010 11:30

Një tjetër surprizë sot ndaj Bjellorusisë do të kompletonte performancën e mirë të Shqipërisë në Grupin D të eliminatoreve të Euro 2012.

Kuqezinjtë, në mbrëmje në orën 19:30, do të zbresin në “Dinamo Stadion” të Minskut për të luajtur aktin e katërt të këtyre eliminatoreve kundër vendasve të drejtuar nga trajneri gjerman, Bern Shtange.

Kjo do të jetë e treta përballje në histori mes dy kombëtareve, pas atyre të eliminatoreve të Euro 2008 Bjellorusi-Shqipëri 2-2 (02.09.2006) dhe Shqipëri-Bjellorusi 2-4 (7.11.2007). Edhe pse do të paraqitemi në këtë takim pa trajnerin e parë, Josip Kuzhe dhe me 4 mungesa me peshë (Curri, Lala, Cana e Bogdani), objektivi minimal i Shqipërisë do të jetë një rezultat pozitiv, por të gjithë theksojnë se nuk do të luajnë për t’u mbrojtur, ndaj është i hapur edhe opsioni i fitores.

Një gjë të tillë e konfirmon edhe formacionin e përcaktuar nga trajneri i komanduar, Xhemal Mustedanagiç, i cili do të aplikojë modulin 4-1-4-1. Admir Teli është e reja e mbrojtjes, pasi shkodrani është parashikuar të rreshtohet në qendër përkrah Dallkut. Në të djathtë, Vangjeli dhe në të majtë do të luajë Agolli. Mesfushori Lila do të luajë para mbrojtjes. E reja tjetër e formacionit, Gilman Lika do të rreshtohet në të majtë të katërshes së mesfushës përkrah Skelës e Bulkut në qendër dhe Duros pak më të avancuar në të djathtë. Salihi do të jetë sulmuesi i vetëm. 24 orë para takimit, trajneri Mustedanagiç ka sqaruar: “Na mungojnë disa lojtarët kyçë, si Curri, Cana e Bogdani.

Këto mungesa tregojnë se jemi dobësuar në mënyrë të dukshme. Gjithsesi, ne në këtë ndeshje do të luajmë për veten dhe jo për t’i bërë nder ndonjë rivali tjetër në grup. Shpresojmë të marrim një barazim”.

I pyetur se cilat janë aspiratat e Shqipërisë në këtë grup, ai u përgjigj: “Ne nuk kemi përcaktuar asnjë objektiv konkret, skuadra ime është luftarake futbollistët e mi janë patriotë të mëdhenj, sepse ata luajnë me krenari në çdo ndeshje dhe luftojnë për çdo top. Kur Kuzhe dhe unë morëm drejtimin e skuadrës, na thanë se objektivi ishte që nga vendi i pestë të renditeshim në vendin e katërt në grup. Megjithatë, unë shpresoj se mund të bëjmë më shumë se kaq dhe shpresoj se Shqipëria do të jetë surpriza më e madhe e grupit D të eliminatoreve”. Edhe kundërshtarë vijnë në këtë takim me disa mungesa: Së fundmi, Aleksandër Hleb nuk ka luajtur fare me Birmingemin, por ka zhvilluar stërvitje të diferencuar. Vetëm të hënën i është bashkuar skuadrës së Bjellorusisë, ku ka kryer stërvitje të diferencuar. Por trajneri Shtange ka deklaruar se do të hedhë në fushën e lojës vetëm lojtarët që janë 100%. Mungesa e  Hleb, Kutuzov dhe Konileng (i skualifikuar) konsiderohen të rëndësishme nga tekniku, i cili në ndeshjen ndaj Shqipërisë shpreson të rigjejë fitoren.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA