Kuzhe, video-konferencë nga Tirana me skuadrën

12/10/2010 11:45

Josip Kuzhe është me mendje dhe me shpirt në Bjellorusi, megjithëse fizikisht nuk mund të jetë prezent pranë Kombëtares shqiptare.

Edhe pse vetëm 72 orë më parë doli nga spitali pas hemorragjisë cerebrale, trajneri vazhdon ta ketë mendjen te sfidat kualifikuese të skuadrës, në Grupin D të Euro 2012. Pasi nuk arriti t’i takonte kuqezinjtë përpara sfidës së barazuar 1-1 me Bosnjë-Hercegovinën (presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nuk e lejoi, sepse shëndeti i trajnerit mund të përkeqësohet), tashmë kroati ka vendosur t’i gjendet pranë ekipit përfaqësues.

Sapo ka përfunduar stërvitja e djeshme në Minsk, e cila ishte e fundit përpara ndeshjes me Bjellorusinë e drejtuar nga Bernd Shtange, skuadra ka udhëtuar menjëherë drejt hotelit ku është akomoduar, për të biseduar në distancë me trajnerin. Me ndihmën e Federatës Shqiptare të Futbollit, Kuzhe u ka folur lojtarëve nëpërmjet një video-konference nga Tirana.

Diskutimi me ekipin ka një shpjegim tepër të thjeshtë: sfida e sotme është mjaft delikate për Kombëtaren e futbollit. Arsyeja e parë janë mungesat e disa elementëve kyçë. Pas humbjes së Debatik Currit për shkak dëmtimi, në fushë përballë bjellorusëve nuk do të jenë as Lorik Cana (i dëmtuar të premten) dhe Erjon Bogdani (i skualifikuar me kartonë). Së dyti, rezultati i ndeshjes në Minsk mund të vendosë shumë për sa i takon ecurisë së Shqipërisë në këto eliminatore të trofeut kontinental.

Një humbje do të bënte që kuqezinjtë të rrëshqisnin disa vende më poshtë në klasifikim, ndërsa barazimi ose fitorja do të vazhdonin serinë e rezultateve pozitive dhe do të rrisnin shanset për t’i mbyllur kualifikueset në pozita shumë të mira. Në një moment të tillë, tekniku 57-vjeçar ka kërkuar t’i japë zemër skuadrës, për të dhënë maksimumin në fushën e lojës, por edhe për të dhënë detyrat specifike për futbollistët. Objektivi është krijimi i një mbrojtjeje solide, me shpresën për t’u larguar nga Bjellorusia me një pikë. Por, “direktiva” kishte edhe për mesfushorët dhe sulmuesit, duke dhënë zgjidhje që Shqipëria të paraqitet rrezikshëm në portën kundërshtare.

Pasi është larguar nga spitali dhe po qëndron në shtëpinë e tij me qira në Tiranë, drejtuesi i stolit kuqezi duket se e ka marrë edhe më shumë veten. Djali i tij, Marko, ka bërë të ditur për mediat kroate, se trajneri ka rifilluar ritmin normal të jetës, ku natyrisht që pjesën më të madhe të bisedave e zënë temat rreth futbollit. “Babai im ndihet mirë dhe është rehabilituar me sukses. Ndoshta, pas afro dhjetë ditësh do të udhëtojmë drejt Zagrebit, ku ai do të vazhdojë të qetësohet. Prej disa ditësh, ai ka rifilluar të jetojë me futbollin. Diskutimet rreth këtij sporti zënë pjesën më të madhe të bisedave”, konfirmoi Marko Kuzhe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA