Euro 2012, sfida interesante para “pushimeve”

12/10/2010 15:45

Do të zhvillohen sot ndeshjet e radhës të eliminatoreve të Kampionatit Europian Euro 2012.

Italia e Cezare Prandelit do të përballet mbrëmjen e sotme me Serbinë, duke vazhduar kështu përpjekjen e gjetjes të një imazhi të ri pas dështimit në botëror.

Në prag të sfidës, trajneri Prandeli shprehet i kujdesshëm në lidhje me kundërshtarët duke i vlerësuar si një skuadër shumë të fortë në cdo këndvështrim. Nga ana tjetër ai shton se “axurrët” janë ende në kërkim të një identiteti në këtë erë të re që po përpiqen të fillojnë. Në ndryshim nga ndeshja e fundit me Irlandën e Veriut ku Italia barazoi 0-0, Prandeli ka preferuar Kasanon në vend të Borielos i cili gaboi disa herë në takimin e shkuar, ndërkohë që Italia do të luaje sot pa De Rosin e dëmtuar dhe nga ana tjetër do të aktivizohet Zambrota, në këtë ndeshje që do të jetë e 98-ta për të me përfaqësuesen.

Kampionët e botës së Spanjës do të luajnë sot përballe Skocisë, përfaqësuese e cila është kritikuar ashpër nga mediat vendase për humbjen e fundit 1-0 me Republikën Ceke edhe pse luajti me një skemë të paparë ndonjëherë difensive, 4-6-0. Për një skemë të tillë duket të jetë i përgatitur edhe Del Boske, i cili beson se skuadra e tij mund të gjeje rrugën e golit pavarësisht lojës së kundërshtarit. Për herë të fundit ai ka vizituar “Hampden Park” në vitin 2002 kur Reali i Madridit që ai drejtonte në atë kohë mundi Leverkusenin në Champions League.

Një tjetër takim i mbremjes së sotme është ai mes Holandës dhe Suedisë. Kjo do të jetë përballja më e rëndësishme e Grupit E, pasi do të jenë dy skuadrat më të suksesshme për momentin. Van Marvijk ka paralajmëruar skuadrën e tij që të jetë e kujdesshme përballe Suedisë së mirëorganizuar dhe mbi të gjitha e vëmendshme ndaj sulmuesit kryesor të tyre Zllatan Ibrahimovic, një lojtar që e njeh mjaft mirë futbollin holandez. Portugalia do të luaje ndaj Islandës me një moral mjaft të lartë pas fitores në ndeshjen e shkuar 3-1 me Danimarkën. Kjo fitore i ka ngjitur ata në vendin e dytë në grupin H, pas Norvegjisë që ka pikët e plota.

Një ndeshje të lehtë në letër do të zhvillojë mbrëmjen e sotme Gjermania me Kazakistanin në transfertë. I vetmi dyshim për trajnerin Hoakim Lëv mbetet Mesut Ozil, i cili ka pasur një problem të lehtë në gju, por që me shumë gjasa do të jetë në formacion, ndërkohë vazhdon të mungojë Shvajstajger. Gjermania kryeson grupin A pas 3 ndeshjesh me 9 pikë ndërsa Kazakistani ende është në kërkim të pikës së parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA