Cana: Dëmtimi, jo i rëndë

12/10/2010 11:50

Humbja e Lorik Canës përpara sfidës me Bjellorusinë ishte një goditje mjaft e madhe për përfaqësuesen shqiptare.

Lojtari i gjigantëve turq të Gallatasarait nuk do të jetë sot në fushë në Minsk, për shkak të një dëmtimi të pësuar në kavilje, gjatë një dueli me Edin Xhekon. 27-vjeçari, i cili mbajti shiritin e kapitenit në ndeshjen e barazuar 1-1 me Bosnjë-Hercegovinën, ishte protagonist i një paraqitjeje të jashtëzakonshme të premten.

Ai u aktivizua i dëmtuar në gju, ndërsa qëndroi në fushë deri në mbylljen e takimit, pavarësisht dhimbjeve në kyçin e këmbës. Me sakrificën dhe aftësitë e lindura si lider, Cana ishte një prej lojtarëve që udhëhoqi kuqezinjtë drejt rezultatit pozitiv në “Qemal Stafa”.

Ai ka bërë gjithçka që të luante edhe kundër bjellorusëve, por kjo ishte e pamundur. “Gjatë dy ditëve pas ndeshjes me Bosnjën, përpara se përfaqësuesja të nisej drejt Bjellorusisë, së bashku me stafin mjekësor provuam që të rikuperohesha në kohë. Gjithsesi, ishte e pamundur për mua që të luaja në Bjellorusi. Fatkeqësisht, dëmtimi me Bosnjën e bëri të pamundur që të isha në fushë nesër (sot). Dëmtimi nuk është i rëndë, por nuk mund të luaja tani”, konfirmoi mesfushori.

Cana ka folur për përballjen e sotme të Shqipërisë në stadiumin “Dinamo”, duke theksuar se mungesat e bëjnë këtë sfidë edhe më të vështirë. Ai deklaroi: “Edhe nëse skuadra do të kishte qenë e gjitha, mendoj se në Bjellorusi do ta kishim shumë të vështirë. Ndërkohë që, mungesa e tre lojtarëve të formacionit titullar (duke menduar edhe Currin e Bogdanin) dhe fakti që trajneri Kuzhe nuk mund të ishte në stolin e ekipit kombëtar, e bëjnë edhe më të vështirë këtë sfidë. Gjithsesi, Shqipëria i ka lojtarët për të pretenduar rezultat pozitiv edhe në këtë sfidë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA