Penalizohen sërish partitë e vogla

11/10/2010 08:10

Qeveria korrekton gabimet në ligjin për partitë politike dhe e rikthen atë sërish në komisionet parlamentare për diskutim.

Pas ‘zhdukjes’ nga Kuvendi, ligji për partitë politike është depozituar në Kryesinë e Kuvendit të mërkurën e kaluar dhe sot diskutohet në Komisionin e Ligjeve. Në krahasim me një muaj më parë, drafti i ri për partitë politike, edhe pse duket se nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor nga ai i pari, ka një lëvizje me një zero, që do të thotë se rritet kufiri i anëtarëve themelues.

Ndryshimi nga ligji i parë është numri i anëtarësisë së kërkuar për t’u regjistruar si parti në gjykatë. Numri i anëtarëve në ligjin e mëparshëm ishte 300, ndërsa tani është bërë 3000. Një tjetër ndryshim që pritet të bëhet në komisionet parlamentare është mbajtja e selive të partive, në rast se këto parti kanë pasur deputetë në dy legjislatura, apo kanë një traditë të fortë historike.

Qeveria ridërgon për miratim në Parlament një projektligj për partitë politike, ku parashikohen modalitete të reja për regjistrimin në gjykatë dhe kufizimin e përfitimit të tyre. Në draft parashikohet heqja e selive shtetërore të partive të vogla që janë jashtë Kuvendit, por edhe ndërprerja e financimit për këto subjekte politike, jo parlamentare.

Sjellja e projektit në këtë formë dhe në këtë kohë, sipas partive të vogla, është një formë presioni e qeverisë para zgjedhjeve lokale. Megjithëse drafti është në rend të ditës në disa komisione parlamentare, deputetët nuk kanë nisur diskutimin. Burime pranë mazhorancës pohojnë se propozimi është tërhequr për rishikim, kjo për shkak të presionit që edhe partitë e vogla në koalicionin qeverisës i bëjnë Partisë Demokratike. “Kërkesa për pajisje me ndërtesë i paraqitet ministrit të Brendshëm, për pronat shtetërore në administrim të pushtetit qendror dhe kryetarit të bashkisë, për pronat që janë në pronësi ose në përdorim të pushtetit vendor, të cilët marrin masat e nevojshme për pajisjen e partisë parlamentare me ndërtesë”, thuhet në ligj.

Nisma gjithashtu parashikon që kur gjenden ndërtesa të lira, sipas rastit, ministrit i Brendshëm ose kryetari i bashkisë, lidhin kontratën e huapërdorjes me partinë politike. “Kur gjenden ndërtesa të lira, shteti, nëpërmjet Ministrisë së Financave, merr përsipër pagesën e qirasë së selisë qendrore dhe të zyrave. Kontratat e huapërdorjes ose pagimi i qirasë zgjat për aq kohë sa partia politike ushtron veprimtarinë parlamentare”, parashikon ligji.

Në Parlamentin aktual janë 6 forca politike, të cilat kanë të drejtë sipas ligjit për të mbajtur seli me paratë e shtetit. Pjesa tjetër e partive që janë jashtë Kuvendit, si p.sh. Lidhja Demokristiane e zv.ministrit të Turizmit, Nikoll Lesi, dhe PSD-ja e Skënder Gjinushit, kanë zyra që janë private dhe nuk përfitojnë nga buxheti i shtetit për pagesën e qirave. Të regjistruara gjithsej janë 38 forca politike, gjashtë prej të cilave janë prezente në Parlament dhe pjesa tjetër jo. Gjithçka do të varet nga mënyra se si do të përcillet debati në Komisionin e Ligjeve ditën e sotme, por plani i së djathtës është që të përfitojnë aleatët e djathtë, sidomos ata që në dy legjislaturat e fundit kanë qenë prezent në Parlament, apo partitë që kanë një traditë të fortë historike.

Ndryshimi nga ligji i parë është numri i anëtarësisë së kërkuar për t’u regjistruar si parti në gjykatë. Numri i anëtarëve në ligjin e mëparshëm ishte 300, ndërsa tani është bërë 3000. Një tjetër ndryshim që pritet të bëhet në komisionet parlamentare është mbajtja e selive të partive, në rast se këto parti kanë pasur deputetë në dy legjislatura apo kanë një traditë të fortë historike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA