Greva, PS: Nisni dialogun. Berisha: Është politike

11/10/2010 00:00

Kryeministri Sali Berisha edhe nga salla e Parlamentit rikonfirmoi se
nuk do të negociojë për kërkesat e ish të përndjekurve në grevë urie.

Kryeministri tha se kane qenë qeveritë demokratike në Shqipëri, ato që kanë vendosur standardin më të lartë të dëmshpërblimit për ditë burgu në të gjithë Europën, 18.6 dollarë.

Por, Kryeministri nuk dha detaje se sa realisht kanë përfituar ish të përndjekurit. Kryeministri tha vetem se jane 10.700 dosje, ndërsa në një relacion zyrtar te Ministrisë së Drejtesisë, depozituar vetëm pak kohë më parë në Komisionin e Ekonomisë, është 20 589 numri total i ish te perndjekurve, nga cilat rezultojne se jane shqyrtuar vetem 11 mije kerkesa per demshperblim te tyre, pra gati sa gjysma e atyre qe pretendojne demshperblim.

Plot 9 589 ish te perndjekurve, nuk u ka nisur ende shqyrtimi i dosjeve te depozituara.

“Në Shqipëri janë 10 700 dosje dhe në mënyrë absolute barazia para ligjit do të jetë e hekurt për të gjithë. Unë u them atyre se jashtë radhe, pse ju mbështet Partia Socialiste, nuk do të mund të kaloni kurrë!Po të doni për jashtë radhe, priteni kur të vijë në pushtet se do të merrni ato që morët!” tha Berisha.

Nje tjeter sqarim qe mungoi ne pergjigjen e kreut te Qeverise ishte ajo per zbatimin e plote te fondit te percaktuar per demshperblim ne 2011, i parashikuar te ishte 15 milionë dollare. Por nga te dhenat rezulton se jane shperndare vetëm 12 milionë dollarë.

Me shume sesa sqarime konkrete debati për ish te përndjekurit në sallën e Parlamentit u shndërrua ne politik. Kryeministri tha se greva eshte inicuar nga Partia Socialiste.

“Ju thanë shqiptarëve se nuk kishin marrë një qindarkë. Vazhduan një javë rresht, duke mashtruar se nuk kishin marrë asnjë qindarkë nga kjo Qeveri. Ata janë të filmuar duke thënë kështu, edhe ai që ka marrë tre dhoma e kuzhinë është i filmuar, që betohej i porositur nga ju (PS) se s’kishte marrë asgjë nga Qeveria”, tha Berisha.

“Nëse ke argumenta, siç pretendove sot në këtë sallë, shko atje e thuaja në sy me shifra, me fakte, por mos u fshih. Ju zonja kryetare, që jeni aty edhe pse vini një shtresë e persekutuar, është e pafalshme për ty që publikisht kur të pyet gazetari të thuash se ‘c’mendim ke’, thua se nuk ke asnjë koment. Si nuk ke koment për ata dhe paske koment të anatemosh këdo nga ne? Shko atje se i bën nder vetes tënde, prejardhjes tënde, karrikes në të cilën të kanë zgjedhur, votës që të kanë dhënë”, tha kreu i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi.

Akuzat mes palëve u thelluan pasi ish-Kryeministri socialist Pandeli Majko kerkoi fillimin e negociimit te menjehershem me grevistet e urisë.

Sali Berisha: Ju që me deputetët tuaj dërgoni shishe benzine atyre, ju merrni pjesë në vetëekzekutimin e tyre. Por tani ju paralajmëroj këtu, shishe benzine mos nisni më!

Pandeli Majko: Deklarimet e Kryeministrit se kjo është grevë politike është një përrallë. Mund të bëjnë gjithçka ata të përndjekur politikë, por të digjen për Partinë Socialiste s’bën vaki. Këto përralla shitjani atyre që jua besojnë. Ajo është një grevë ekonomike e njerëzve dinjitozë, të cilët kanë vajtur në limit, atje ku s’mban më.

Jozefina Topalli: Ti i pari të turpërohesh aty ku je, pastaj të gjithë shokët e tu. Një Kryeministër që i ka dhënë zero lek, zero shpërblim, zero mundësi strehimi, zero bursë duhet të turpërohej sot, ose të paktën kërko të falur.

Pandeli Majko: Çdo qytetar i majtë dhe i djathtë e di se në ç’kushte kam qeverisur unë, kur kam qenë Kryeministër. Nuk ka qenë vendi aq i qetë sa sot dhe nuk ka pasur luftë në kufijtë e tij, ndryshe nga paqja që ekziston sot. Eshtë thjesht një kërkesë për negociatë, nuk është grevë politike dhe nuk është grevë e Partisë Socialiste. Eshtë grevë e një shtrese, e cila ju ka mbajtur mbi supe, por sot Shqipëria nuk qeveriset nga të përndjekurit, apo nga pasaardhëst e tyre, por qeveriset nga ‘pentitot’ dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Po ju kërkoj të negocioni me shtresën që ju ka sjellë në pushtet. Shkoni dhe komunikoni me ata njerëz mos i lini të digjen!

Sali Berisha: Unë ligjin nuk e thyej dot, unë kam ligj dhe unë do të zbatoj ligjin dhe ligji i ka qytetarët të barabartë. Mos mendoni ju kurrë, jua kam faktuar shumë mirë këtë. Nuk nxjerr njeri mbi ligjin, doni ju, shkoni te rrogat tuaja aty, gjysmë rroge, bëhuni humanistë, ju takon, ju përgëzoj. Ja kjo është zgjidhja.

Topi: Zgjidhje problemit të grevës


Kryetari i Frymës së Re Demokratike Bamir Topi, duke folur para mediave deklaroi se duhet gjetur nje zgjidhje urgjente për çështjen e ish të përndjekurve në grevë urie. Topi tha se nuk mund te sillemi me të me logjike komuniste.

Duke iu referuar statusit te vendit kandidat, zoti Topi tha se statusi eshte meritë e popullit dhe nuk duhet te trajtohet as si sukses i njeres pale, e as deshtim i pales tjeter.

“Dëshiroj të shpreh solidaritetin njerëzor me grevistët e urisë, të shpreh keqardhjen për aktet e sakrificës dhe t’i uroj shërim të shpejtë dhe të plotë zotit Ndreca dhe zotit Bejko. Eshtë rasti të apeloj organet përgjegjëse, Qeverinë dhe Parlamentin, të ndërhyjnë pa vonesë, të ulen në dialog të gjejnë zgjidhje sepse kjo rrugë është detyra e tyre ligjore, është detyrim moral dhe është standard demokracie. Mjaft më me etiketime dhe sjellje që të kujtojnë kohën e diktaturës komuniste. Fryma e Re Demokratike mbështet plotësisht përfundimet e raportit vjetor të Bashkimit Europian mbi Shqipërinë dhe rekomandimin e Komisionit Europian për dhënien me kusht të statusit kandidat për vendin tonë. Fryma e Re Demokratike refuzon ta shohë raportin e BE-së si sukses të një palë politike apo dështim të palës tjetër. Qytetarët janë dëshmitarë të zhvillimeve konfliktuale dhe dialogut të brishtë politik, si dhe njohin shumë mirë politikanët dhe forcat politike që mbajnë peshën kryesore të përgjegjësisë për kushtëzimin e vendimit për statusin”, u shpreh Topi.

Rama: Qeveria mbyll sytë para grevës


Duke folur para një grupi të rinjsh socialistë, kreu i opozites Edi Rama, iu referua situatës së krijuar nga greva e urise së ish të përndjekurve politikë.

Rama tha se Qeveria po hesht para kësaj gjendjeje dhe se ajo eshte produkt i nje realiteti, ku nje grup i vogel njerezish prane qeverise pasurohet nga dita në ditë, ndërsa populli varfërohet nga dita në ditë.

“Nuk mund të le pa përmendur atë që ndodh sot në sytë tanë, në sytë e të gjithë shoqërisë, në një kënd të humbur të kryeqytetit që është në sytë e të gjitha kamerave dhe kështu të të gjithë opinionit publik. Po flas për një grup njerëzish, me të cilët jeta nuk ka qenë aspak bujare dje dhe është sot më cinike se kurrë me ata të burgosur politikë që janë në rrugën e një përpjekje të stërmundishme, deri në akte që dëshmojnë, nga njëra anë dëshpërërimin e një shtrese të tradhëtuar, pasi është tallur për 20 vjet me radhë dhe nga ana tjetër shkallën e arrogancës së këtij pushteti, që nuk gjen jo në mendje, por as në zemrën e vet asnjë arsye së paku për t’i dëgjuar edhe për të folur me ta si njerëz, sepse ky pushtet nuk ka zemër për të ndjerë dhimbjen e atyre shqiptarëve që nuk bëjnë pjesë në oborrin e tij. Ky pushtet nuk ka sy për të parë se sot Shqipëria është përditë e më e ndarë mes një oborri që pasurohet çdo ditë e më shumë në mënyrë marramendëse dhe një populli që braktiset përditë e më shumë dhe varfërohet përditë e më shumë në perspektivën e vet”, tha Rama.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB