Atë që KFOR-i e UNMIK-u e bëri në pjesën tjetër të Kosovës menjëherë pas luftës, po e bën sot EULEX-i dhe policia e shtetit në veri të saj.
Rruga Mitrovicë-Leposaviç konsiderohet si arteria kryesore e kontrabandës së mallrave që hyjnë nga Serbia. Diku 15 kilometra larg Mitrovicës, policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës, të mbështetur nga njësia speciale e karabinierëve, ndalojnë çdo automjet që vjen nga thellësia e veriut dhe Serbia.
Kontrolli i automjeteve bëhet në mënyrë të detajuar ndërsa të rinjve u bëhet edhe testi i alkoolit. Ajo çka menjëherë bie ne sy është se të gjitha automjetet që ndalohen janë me targa të Serbisë. Por detyra e një polici serb nuk është të ndalojë qarkullimin me targa të ndonjë shteti tjetër.
Qëllimi i planit të veprimit është luftimi i kontrabandës dhe krimit të organizuar.
Në mesin e 15 automjeteve të kontrolluara policia nuk gjeti diçka të jashtëligjshme, ndërsa sjellja arrogante e shoferëve serbë në disa raste nuk nxit aspak reagimin e policisë.
Ndërsa forcat e rendit bëhen gati për të lëvizur në një pikë tjetër kontrolli, edhe gazetarët shoqërohen nga policia për në Mitrovicë. Këtu ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi pret që më në fund edhe në veri të sundojë rendi dhe ligji.
“Realisht ata ka një plan koordinues mes policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, sidomos pas disa incidenteve të disa kohëve më parë. Ai ishte një mesazh i qartë së në pjesën veriore ka shumë armë ilegale dhe njerëz të dhunshëm. Gjatë këtij proçesi do të bëhet identifikimi i personave në kërkim dhe ata që mbajnë armë pa leje”, është shprehur Rexhepi.
Në veri të Kosovës prej dhjetë vitesh kontrabanda e naftës dhe mallrave të tjera ka pasur efektin e vet negativ duke i shkaktuar humbje në miliona euro buxhetit të shtetit.
Ajo çfarë mund të pasojë pas çrrënjosjes së krimit të organizuar është funksionalizimi i gjykatës në veri dhe vendosja e doganierëve kosovarë.
Top Channel