
Proceset e legalizimeve dhe kthimit e kompensimit të pronës ka pësuar dje disa ndryshime të rëndësishme me miratim të qeverisë. E para lidhet me dëmshpërblimin e ish-pronarëve, në tokat e të cilëve janë ndërtuar objekte pa leje dhe që janë në proces legalizimi.
Referuar ligjeve “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” dhe “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, qeveria ndërmori disa ndryshime që lidhen me kompensimin e pronarëve, në pjesën e dokumentacionit.
Nenet e para që ndryshojnë lidhen me afatet, duke i lënë të papërcaktuara. Në pikën 6 shtohet një paragraf, ku thuhet: “Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, sipas shkronjës ‘c’, të pikës 6, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet”.
Më tej, në vendim përcaktohet se, nëse kërkesa paraqitet nga një pjesë e bashkëpronarëve, ajo shoqërohet nga prokura e posaçme e nënshkruar prej tyre, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre.
Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar, apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer paguhet tarifë shërbimi, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme. Gjithashtu, grupi i punës, brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, kryen veprimet e duhura të verifikimit. Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë pas plotësimit të mangësive të konstatuara. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.
AKKP-ja realizon ndarjen e fondit të kompensimit të pronave në vlerë proporcionale me masën përkatëse të parashikuar në listat bashkëlidhur vendimeve të Këshillit të Ministrave, që përcaktojnë shpërblimin e pronarëve për pasuri, të cilat preken nga ndërtimet informale, deri në të njëjtën masë të përfituar nga subjektet e kompensuara më parë.
Kësaj here, me propozim të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, qeveria vendosi ndërmarrjen e disa sanksioneve ndaj objekteve që nuk duhen futur në procesin e legalizimeve.
Në pikën 2, të kreut I, të ligjit bëhet ndryshimi, sipas të cilit, objekti i ndërtuar pa leje ose shtesa e sipërfaqes tej lejes së miratuar nuk kualifikohet për legalizim ose, nëse është kualifikuar, legalizimi ndërpritet në çdo kohë përpara lëshimit të lejes së legalizimit sipas nenit 28 të ligjit.
Legalizimi ndërpritet edhe në rast kur objekti shkel vijën e ndërtimit në rrugët e kategorisë së parë, të dytë dhe të tretë, të parashikuar nga plani i përgjithshëm rregullues, studimet urbanistike apo projektet e veçanta infrastrukturore rrugore të çdo niveli, të miratuara a në proces. Gjithashtu, ndërpritet procesi kur ndërtimi cenon zbatimin e projekteve për zona turistike, zona komerciale dhe rekreative, zonat ekonomike, parqe dhe impiante industriale, për të cilat ka studime të miratuara ose në proces.
Pas pikës 8, të kreut II, shtohet një pikë ku thuhet se, kur objektet ndodhen në kushtet e moskualifikimit për legalizim, organet shtetërore përgjegjëse kanë të drejtë t’i kërkojnë ALUIZNI-t ndërprerjen e legalizimit, duke specifikuar dhe shkakun konkret sipas pikave 2 e 3 të këtij vendimi, për të cilin ALUIZNI është i detyruar të ndërpresë procesin.
Kërkesës duhet t’i bashkëlidhet, detyrimisht, dokumentacioni provues. ALUIZNI është i detyruar që, brenda 2 javëve nga data e depozitimit të kërkesës, t’u konfirmojë ndërprerjen e procedurave organit shtetëror përgjegjës dhe personit të interesuar për legalizimin e ndërtimit pa leje. Në rast se me kalimin e këtij afati, ALUIZNI nuk ka konfirmuar ose ka refuzuar ndërprerjen e legalizimit, organi shtetëror përgjegjës ka të drejtë t‘i kërkojë Këshillit të Ministrave pezullimin e procedurave të legalizimit të objekteve pa leje.
Top Channel