
Dy ditë pas shpalljes së listës përfundimtare të fituesve nisi procesi i regjistrimeve në të gjitha fakultetet e vendit.
Sekretaritë mësimore kanë hapur dje dyert që në orën 08:00 për të mirëpritur fituesit e fundit. Në këtë fazë do të kenë mundësi të regjistrohen maturantët të cilët janë shpallur fitues në një preferencë më pak të dëshiruar gjatë dy fazave të para, por që në listën përfundimtare janë shpallur fitues në një preferencë më lart.
Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, fituesit ndryshe nga ato të dy fazave të tjera do të kenë në dispozicion vetëm tri ditë për t’u regjistruar. Datat 8 dhe 9 tetor janë mundësia e fundit e regjistrimit për të gjithë maturantët që dëshirojnë të vijojnë studimet e larta në një prej fakulteteve të vendit. Pra procesi i regjistrimeve do të përfundojë zyrtarisht dy ditë përpara se të çelet viti i ri akademik 2010-2011.
Për t’u regjistruar, maturantët duhet të paraqesin pranë sekretarive mësimore përkatëse dosjen individuale me një sërë dokumentesh, ku përfshihen certifikata ose karta e identitetit, dëftesa e pjekurisë, dy foto dhe mandati i arkëtimit.
Top Channel