Të gjithë kanë dëgjuar për Lurën, por të paktë janë ata që kanë shijuar mrekullitë e saj.

Një perlë e tipit alpin, me pyje të dendur e të errët halorë, me 10 fshatrat e saj të vendosura në pllaja e lugina, aty ku syri nuk është i nevojshëm të zgjedhë, sepse natyra të ofron “më të bukurën”, dikur një motiv kartolinash tashmë e harruar në vetminë e saj, nga Lura këtë herë, me kamerën e Pasdites tonë, do të kryejmë një udhëtim për rizbulimin e saj.

Rajoni i Lurës, ndodhet 1080 metra mbi nivelin e detit, një zonë ku ndërthuren në mënyrë dramatike malet e larta dhe livadhet e gjera. Me një popullsi prej 2100 banorësh, vendi i “kullave me çati të kuqe” me rrethinat e tij, është parajsa e pikniqeve dhe iniciativave ekskursioniste.

“Këtu jemi në Fushë-Lurë, pas meje është Kreshpa e qytetit, ndërsa në krah të djathtë ndodhen Livadhet e Gjarit”, tregon Llesh Doçi.

Në këtë zonë të bekuar me peizazhe mahnitëse, ku të trondit bluja e thellë e liqeneve dhe gjelbërimi i përhershëm i pyjeve, aroma e rrëshirës së pishave dhe shkëlqimi i fortë i borës alpine, jetohet në mënyrë idilike. Banorët, edhe pse të varfër, duken të qetë. Ata janë blegtorë dhe pemëtarë të njohur. Në këtë zonë të paprekur ende nga marrëzia e zhvillimit, prodhohet qumësht nga tufat e shumta të bagëtisë, fruta të ëmbla dhe mjaltë lulesh të egra.

“Ka patur lëvizje demografike, më shumë drejt Tiranës, sesa drejt vendeve të tjera si Anglia apo Italia”, shprehet Doçi.

Edhe ata që kanë mbetur në Lurë ose janë kthyer përsëri, mundohen të shfrytëzojnë resurset e vendit të famshëm, ujërat e tij të pastra dhe ajrin e shëndetshëm.

Në këtë rezervat të vogël rritet troftë, përveçse një investimi privat, aktiviteti në fjalë, bën të mundur që kjo zonë, edhe pse larg “detit”, të shijojë produktet e tij, në një formë tjetër.

Mes pyllit të gjelbëruar gjejmë ndërtesën e ish-turizmit të vjetër. Faik e Sabrie Buci ushtrojnë në këtë “objekt” 40 vjeçar turizmin familjar. Kushdo që dëshiron të shijojë Lurën, me panoramat e saj, udhëtimin atraktiv dhe ushqimin e pasur, mund të gjejë strehë në bujtina të vogla familjare të ngjashme me këtë.

“Ushqimet më të preferuara janë flija, mishi i qengjit në hell”, mirëmbajtësi Faik Buci.

Kjo është shtëpia e Mexhit Skanaj, e vogël dhe e ngrohtë për të përballuar një tjetër dimër që është në prag. Në çdo cep ndihet dora e zonjës së shtëpisë, Sulbies, punët e saj të dorës e kanë kthyer këtë banesë, në një “kthinë të vogël” të pasionit të trashëguar femëror të luranëve.

“Bëj çentro, rrugica me grep, triko, çorape, të gjitha për vajzat që i kam të martuara, për dhuratë, jo për shitje”, thotë Subie Skanaj.
 
Jeta e  banorit të Lurës është tërësisht e lidhur me pyllin, tokën dhe shtëpinë, nje simbiozë e natyrshme që ndeshet në zona të veçanta të rajonit.  Kjo është arsyeja që në Lurë gjejmë edhe kafshë të rralla, disa prej të cilave në rrezik zhdukjeje. Ky për shembull është një shqarth, kafshë që bën pjesë në familjen e ketrit.

“Rritet në zonat më të largëta të Ahut dhe Bredhit, origjinale ka lëkurën, dhëmbët dhe thonjtë”, shprehet Mexhit Skanaj.

Po shkojmë në kullën e Bibe Doçit. Plaku energjik prej natyre të tregon se deri në vitet `60-të, brenda mureve të saj kanë jetuar 30 frymë. Më pas anëtarët e familjes së madhe u shpërndanë, por Biba dhe gruaja e tij Dila, të fejuar që në djep, u lidhën pas saj. Për vlerat e saj arkitekturore, shtëpia shumë-vjeçare ka marre një çmim të veçantë, ndërsa objekti edhe sot ruan pamjen e ditës kur u ndërtua.

“Ndërtesa është shumë vjeçare, po ta shikosh nga jashtë guri që është përdorur në qoshet e saj, nuk ndeshet në ndërtimet e tjera”, tregon Bibe Doçi.

Për Lurën mungon një guidë turistike e prezantimit të saj të vërtetë, por 18 kilometra larg saj, mes pyllit me ahe, pishë e dushkë, gjejmë “liqenet e famshme”. Një kompleks i ndërlikuar karstik, ku 7 prej tyre, më të famshmit janë përmendur gjithmonë në Shqipëri për bukuritë e tyre. Në të vërtetë, liqenet e Lurës janë 14, por 7 liqenet e tjerë, ata të panjohurit, kanë mbetur të tillë ende edhe sot për shkak të mungesës së një rruge të thjeshtë e të vogël që do t’u jepte atyre jetë.

Fenomenin e “Liqenit të luleve” e ndeshim edhe në këtë vend.  Prej vitit ’82 vetëvetiu kjo sipërfaqe është mbuluar nga zambakët e ujit, me gjethen në formë zemre dhe lulen e bardhë që e ndeshim vetëm në periudhën e majit. Vendasit i referohen gojdhënës për të shpjeguar dukurinë.

“Një grup vashëzash për të mos rënë në dorë të Krajlit, u hodhën në liqene, prej atëherë në këto sipërfaqe u shfaqen”, shprehet Doçi.

Të takosh vizitorë mes këtyre maleve, në një ditë vjeshte si kjo, konsdiderohet gjë e rrallë. Këta janë turistë të ardhur nga Polonia, disa prej tyre thonë se e kanë shkelur Shqipërinë shumë herë, vetëm dy prej tyre e kanë për herë të parë udhëtimin nëpër malet shqiptare. Mbresat kanë qenë aq të forta saqë kanë vendosur të kthehen përsëri.

“Ne kemi takuar njerëz të mirë, jemi të lumtur se shqiptarët janë shumë të dashur. Në male kemi gjetur shumë kërpudha, janë të mëdha dhe të shumta. Jemi për herë të parë dhe do të vijmë përsëri, sepse është vendi më i bukur që kemi parë në Europë, krahasuar me Bullgarinë, Maqedoninë, Rumaninë, malet janë të mrekullueshme, ushqimi është i mirë dhe njerëzit shumë të mirë krahasuar me Serbinë diferenca është e madhe”, thotë një turist.

Ky inkursion i shpejtë vjeshtor në Lurën e famshme, por të lënë pas dore, ishte vetëm një sinjal kujtese. Për këtë zonë magjepsëse që fshihet në zemër të maleve të larta dhe pyjeve të dendura të veriut shqiptar.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel