Kuzhe: Më mirë të vdes pranë ekipit

08/10/2010 11:55

Josip Kuzhe është i “çmendur” deri në vdekje pas Shqipërisë. Edhe pse vetëm një javë më parë kaloi momente tmerri, me goditjen nga hemorragjia cerebrale, trajneri nuk e pranon dot faktin që mund të qëndrojë larg skuadrës.

Përkundrazi, ai ka kërkuar me dëshpërim të vizitojë futbollistët kuqezi, përpara ndeshjes së sotme me Bosnjë-Hercegovinën. Këmbëngulja e kroatit ka dhënë frytet e veta: 57-vjeçari ka bindur drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit që t’i organizojnë një takim në mesditë me skuadrën përfaqësuese, ndërsa edhe mjekët i kanë dhënë leje për të dalë vetëm për pak orë nga spitali.

Edhe pse është takuar me të gjithë futbollistët dhe ka qenë në kontakte të vazhdueshme me stafin teknik të Kombëtares shqiptare, duke u dorëzuar skemat e lojës për përballjen e sotme me boshnjakët, ka qenë e pamundur që Kuzhe të qëndronte larg grumbullimit. Argumentet e përdorura kryesisht nga “bluzat e bardha” dhe nga krerët e federatës, nuk kanë shërbyer.

Trajneri nuk është pajtuar me idenë se nuk mund të bisedonte me skuadrën përpara një ndeshjeje kaq të rëndësishme. Madje, dëshira e tij i ka kaluar të gjitha caqet, në momentin kur drejtuesi i stolit u shfaq i gatshëm që të përkeqësonte gjendjen shëndetësore, duke rrezikuar edhe jetën, vetëm për t’u dhënë kurajë kuqezinjve. “Nëse kam për të vdekur, më mirë preferoj që të vdes pranë skuadrës sime”, ishin fjalët përballë të cilave të gjithë janë “dorëzuar”.

“Jeta ime lidhet me futbollin dhe skuadrën time e pret një ndeshje e rëndësishme. Nuk kam si të mos i takoj futbollistët. Dua të shkoj në Durrës dhe të flas me të gjithë përpara sfidës me Bosnjën”. Trajneri do të udhëtojë drejt Durrësit, i shoqëruar nga disa mjekë, që do të mbajnë nën vëzhgim gjendjen e tij, ndërsa po gjatë ditës së sotme do t’i nënshtrohet disa kontrolleve, për të mësuar nëse do të jetë në gjendje që ta ndjekë ndeshjen nga stadiumi (gjithmonë i shoqëruar me mjek).

Nëse dikujt i kishte mbetur qoftë edhe dyshimi më i vogël se Shqipëria ishte thjesht një etapë kalimtare për karrierën e Josip Kuzhesë, trajneri ka vërtetuar të kundërtën. Vendimi, i marrë me vetëdije për rrezikun që mund ta presë për një vizitë të tillë (tekniku ka ende nevojë të çlodhet dhe pas hemorragjisë cerebrale nuk këshillohet që të përjetojë emocione të forta) ishte treguesi i fundit për lidhjen që kroati ka me përfaqësuesen. Në fakt, edhe gjatë ditëve kur gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e mirë, Kuzhe takohej me lojtarët, duke u dhënë direktiva, këshilla dhe sugjerime për ndeshjen me Bosnjën, ndërsa vazhdimisht ka komunikuar me krahun e tij të djathtë, Xhemal Mustedanagiç (sot zv.trajneri do të jetë në krye të stolit kuqezi), duke i paraqitur skemën e lojës dhe formacionin titullar që do të zbresë në “Qemal Stafa”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA