Kontabilistët: Të lehtësohen ndërmarrjet e vogla

08/10/2010 17:00

Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit i kërkoi qeverisë të rrisë kufirin për bizneset që detyrohen të mbajnë bilancet sipas standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të kontabilitetit.

Profesor Jorgji Bollani, kryetari i këshillit, tha se kjo do të lehtësonte biznesin e vogël nga kostot.

“Nëse më parë kishim deri në 4 milionë ishin mikronjësi, u shkallëzuan deri në 10 milionë, por për të ardhmen duhet të shkojë në 20 milionë, se ka të bëjë më koston e këtij informacioni”, tha Bollani.

Shqipëria është një nga vendet e para në rajon, e cila i ka harmonizuar standardet kombëtare të kontabilitetit me ato të Bashkimit Europian. Këshilli kombëtar që është dhe hartuesi i tyre, i kërkon qeverisë të rrisë penalitetet për firmat që nuk i zbatojnë ato.

Zëvendësministri i Financave, Alfred Rrushaj, pranon se standardet në mbajtjen e pasqyrave financiare janë një domosdoshmëri për të luftuar informalitetin.

Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit organizoi në Tiranë për herë të parë, konferencën ndërkombëre shkencore me temë me temë: “Shqipëria në Rrugën e Implementimit të Standardeve të Raportimit Financiar dhe Auditimit”.

Top Channel