
Ngjarja me emigrantin shqiptar të arrestuar për pedofili ka ngjallur reagim tek emigrantët shqiptarë në Reggio Emilia dhe më gjerë.
Njëri prej tyre, ish-inspektor i një ministri Financash, Besnik Dervishi, kërkoi të kontaktojë dhe të flasë me mediat në Shqipëri, për të sensibilizuar këtë rast.
“Personalisht kam ndjerë atë që ndjen një njeri i drejtë, kur dëgjon fatkeqësinë e një të pafajshmi. Nëse do të ishte sjellje pedofilie, po ju them se edhe ne do ta dënonim dhe jo vetëm drejtësia italiane. Mirëpo ajo që na ka prekur thellë është se Nexhipi dhe familja e tij janë ndëshkuar dhe tronditur për një sjellje përkëdhelie, që askujt prej nesh nuk i shkon ndër mend ta lidhë me pedofilinë, na ka thënë emigranti duke na shpjeguar detajet e mëposhtme: Nexhipi është baba i tri fëmijëve, më parë ka lindur dy vajza dhe nga dëshira për të pasur një djalë, e ka bërë pas shumë vitesh. Ky fëmijë është një dritë syri e gjithë fisit dhe ky gëzim, si dhe tradita shqiptare, e përligjin përkëdhelinë e këtij babai.
Komuniteti shqiptar i Reggio Emilia-s u mblodh dhe vendosi të protestojë në rast të moslirimit pa kushte të Nexhip Qepi. “Kemi kërkuar edhe mbështetjen e konsullatës shqiptare në Milano, ku jemi siguruar për ndihmë edhe nëpërmjet ish-konsullit tonë, Muçostepa. Kryetari i shoqatës së emigrantëve, Vladimir Kosturi, është duke u angazhuar edhe ai për ta zgjidhur këtë problem, pasi e dimë se po luftojmë për një kauzë të drejtë. Problemi është shumë urgjent dhe koha nuk pret, sepse asistenca sociale kërkon që t’ia marrë të tri fëmijët, duke e torturuar akoma më shumë këtë familje të rregullt dhe të varfër”, sqaroi shoqata e emigrantëve.
‘Kodi Penal i Shqipërisë nuk i parashikon përkëdhelitë intime të fëmijëve nga prindërit si vepra të turpshme dhe as si abuzime seksuale. Në kodet zakonore, incesti dhe pedofilia nuk njiheshin fare’. Pas ngjarjes së pazakontë –motivit për të cilin një shqiptar, prind i dy vajzave adoleshente dhe i një djali 5-vjeçar, është akuzuar nga drejtësia italiane, ne u interesuam për të pasur një optikë më të gjerë se si i konsideron drejtësia shqiptare sjellje të tilla prindërore, si përkëdhelia e të vegjëlve në pjesë intime. Ne kërkuam të mësojmë nëse ka pasur ndonjë rast proces gjyqësor mbi një akuzë të tillë, si është interpretuar dhe si e përcakton ligji. Për këtë kontaktuam një avokat të së drejtës penale, z. Nazmi Komo. Më poshtë po paraqesim interpretimin e tij.
“Unë si avokat, po të merresha me këtë çështje, do të zhbiroja deri në fund për ta bindur gjykatën se sjellja e babait shqiptar me djalin e tij të vogël nuk është pedofili. Nisur nga këto që më treguat mbi akuzat që i janë bërë emigrantit tonë në Itali nga drejtësia italiane, në mos kanë bazë subjektivizmi, do t’i quaja një keqkuptim kulturor. Një gjykatë kur merr vendim, duhet të marrë patjetër në konsideratë natyrën dhe qëllimin e një sjelljeje, pasi ajo që në syrin e një të huaji mund të duket si një abuzim, për atë që njeh traditën është shprehje e përkëdhelisë prindërore, që nuk ka asnjë lidhje me pedofilinë”, ka sqaruar avokati.
Top Channel