Dzeko: Luajmë për fitore

08/10/2010 15:20

Shqipëria do të zhvillojë sot një ndër ndeshjet më të rëndësishme për të, më shumë nisur nga situata, ku do të mungojë në pankinë trajneri Josip Kuzhe i goditur një javë më parë nga një hemoragji cerebrale dhe Debatik Curri i dëmtuar.

Veç tyre, kundërshtari ynë Bosnje Hercegovina, edhe pse në dukje një emër jo i madh, ka një nivel shumë më të lartë se ne nga çdo pikëpamje.

Edin Dzeko, lojtari i Volfsburgut, emri më i lakuar në merkaton verore nga klubet më të mëdha europiane dhe padyshim ylli i përfaqësueses boshnjake, në një interviste ekskluzive për Top Channel thekson vështirësinë që ka skuadra e tij përballë Shqipërisë dhe përballë tifozerisë kuqezi.

“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne sepse ne luajmë këtu në Shqipëri. Për mua është hera e parë që vij dhe luaj këtu. Na duhet të luajmë kundër një skuadre të mirë si Shqipëria, por edhe kundër fansave tuaj. Ne do të përpiqemi të fitojmë, por edhe nëse nuk ia dalim, do të kemi edhe shtatë ndeshje të tjera. Padyshim na duhet të luajmë shumë më mirë se në ndeshjen e shkuar me Francën. Unë nuk jam e vetmja pikë e fortë e përfaqësueses sime pasi kemi edhe lojtarë të tjerë të mirë. Forcën tonë do ta tregojmë sot në fushë”, është shprehur Dzeko.

Edhe pse luan për herë të parë përballë përfaqësueses sonë, Dzeko njeh disa prej lojtarëve të cilët i konsideron pika të forta si Lorik Canën apo Ervin Bulkun.

Sa i përket së ardhmes së tij nëse do të vazhdojë të luaj në Bundesligën gjermane apo diku tjetër të Europë, ai shprehet i rezervuar.

“Për të ardhmen time dua të theksoj se vazhdoj të jem një lojtar i Volfsburgut. Çfarëdo të ndodhë më vonë do ta shihni. Përsa i përket zërave për Milanin mund të them vetëm se jam një fans i kësaj skuadre, asgjë më shumë”, shprehet Dzeko.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA